Gjykimi Special

Gjykatësja bllokon përkohësisht publikimin e raportit të Prokurorit të Posaçëm për Donald Trumpin

Gazeta10
07 Janar 2025 - 21:47

Një gjykatëse federale bllokoi përkohësisht publikimin e raportit të Prokurorit të Posaçëm Jack Smith mbi hetimet e tij ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump, ndërkohë që gjykata e apelit po shqyrton kërkesën e avokatëve për të mos i publikuar ato.

Gjykatësja Aileen Cannon e mori vendimin të martën, pas kërkesës urgjente të avokatëve të mbrojtjes për t’ia ndaluar Departamentit të Drejtësisë publikimin e raportit – një hap që Prokurori Smith tha se mund të bëhej që të premten.

Çështja po trajtohet në Gjykatën e Apelit në Atlanta.

 

Trump reagoi duke thënë se “raporti do të jetë i rremë, ashtu siç ishin edhe hetimet e tij”.

Prokurori i Posaçëm Smith tha të martën se ekipi i tij po finalizonte raportin mbi dy çështjet që ai hetoi rreth Presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe të paktën njëri prej tyre mund të publikohej që të premten.

Ai e bëri këtë deklaratë si përgjigje të kërkesës së avokatëve të zotit Trump, që i kishin kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland, të bllokonte paraprakisht raportin para se ai të bëhej publik./VOA

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.