
Avokati Taulant Hodaj ka komentuar takimin mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke vlerësuar se pas zhvillimeve të fundit është bërë më e arritshme zgjedhja e presidentit të Kosovës.
Hodaj tha se palët duhet t’i japin përparësi interesit të vendit dhe të punojnë për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se situata politike është zgjatur mjaftueshëm.
“Besoj se është afër me pas një president. Duhet t’i thërrasim mendjes me bërë një president. Duhet të shihet interesi i Kosovës, sepse është bërë e tepërt”, u shpreh Hodaj.
Ai theksoi se ekziston një shumicë e madhe që dëshiron zgjedhjen e presidentit, por sipas tij, partitë politike vazhdojnë të jenë të kujdesshme në kalkulimet e tyre politike, duke lënë të hapur edhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje në rast se nuk arrihet marrëveshje për presidentin.
“Janë një shumicë e madhe që dojnë me pas një president, por prapë janë tu e lujt atë lojën e shahut të kujdesshëm që, nëse aktualisht nuk zgjidhet një president, të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi ai.
Hodaj vlerësoi se në takimet dhe zhvillimet e fundit politike nuk është parë mjaftueshëm interesi i Kosovës, ndërsa shtoi se veprimi i fundit i LDK-së e ka bërë më të arritshme mundësinë për zgjedhjen e presidentit.
“Me këto takimet e fundit apo me këtë veprimin e fundit që e bëri LDK-ja, shihet që është më e arritshme zgjedhja e presidentit”, tha Hodaj.
Duke folur për kriteret për zgjedhjen e presidentit, ai tha se ato janë të përcaktuara me Kushtetutë dhe, sipas tij, nuk paraqesin pengesë të pakapërcyeshme për arritjen e një marrëveshjeje politike.
“Kriteret kushtetuese janë shumë të lehta. Duhet të kemi një president. Besoj se më në fund do të kemi një president”, përfundoi Hodaj./Gazeta10