
Ish Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverinë për kaosin energjetik, teksa ka thënë se ky pushtet nuk e ka idenë se me çfarë do të përballemi, raporton Gazeta10.
Hoti ka thënë se një qeveri e përgjegjshme i njofton qytetarët në detaje.
Më tej, Hoti ka thënë se ata po kujtojnë se historia fillon me ta.
Hoti ka kritikuar qeverinë edhe për deklarimet në mediat ndërkombëtare për mundësinë e luftës si dhe anulimin e projektit të gasit.
Këtu keni statusin e plotë:
“Kaosi në menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e ka rritur panikun tek qytetarët.
Një qeveri e përgjegjshme duhet të informojnë qytetarët në detaje:
– sa pritet të jetë prodhimi i energjisë nga KEK-u gjatë dimrit,
– sa duhet importuar energji për të plotësuar kërkesën vendore,
– sa buxhet duhet ndarë për import të asaj energjie,
– a mund të lidhen tani kontrata për blerje të energjisë,
– sa energji i kemi dhënë Shqipërisë deri më tani në mënyrë që të marrim nga ta gjatë dimrit,
– sa buxhet duhet ndarë për kompanitë e energjisë në mënyrë që rritja e faturave të energjisë të jetë e përballueshme për familjet,
– sa buxhet duhet ndarë për subvencionim të energjisë për familjet në asistencë sociale,
– çfarë mund të bëhet bashkë me komunat për familjet e tjera më në nevojë për mbështetje etj.
Një plan i tillë do kishte kuptim dhe do të mbështetej nga të gjithë.
Këta nuk kanë ide se me çfarë do të përballemi. Kujtojnë se me ta nis historia dhe e nisin nga e para strategjinë e energjisë. Tregojnë dogma para partnerëve ndërkombëtarë. U tregojnë japonezëve sa ka qenë rritja në Kosovë dhe i ftojnë të investojnë, por në anën tjetër në media ndërkombëtare e përmendin çdo ditë mundësinë për luftë në Kosovë. E anulojnë projektin strategjik të gazit për inate politike, i cili për tri vite do të shtonte kapacitet energjetike”, thuhet në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10