
Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se projektligjit për Trustin Pensional është iniciativë e qytetarëve dhe se Kuvendi i Kosovës duhet ta shqyrtojë sa më parë, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se kjo nuk është zgjidhja ideale për tejkalimin e krizës si shkak i inflacionit mirëpo kjo është zgjidhja e vetme që është në dispozicion.
Tutje, ai ka thënë se masat e marra deri më tani nga Qeveria e Kosovës kanë qenë të kufizuara kryesisht në skema sociale dhe pensionale.
Më tej, ai ka treguar edhe propozimet opozitare për Qeverinë e Kosovës.
Këtu keni postimin e plotë:
“Sot, Komisioni për Buxhet e miratoi projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional, i cili është iniciativë e mbi 21 mijë qytetarëve. Kuvendi i Kosovës duhet që sa më parë ta shqyrtojë këtë projektligj në seancë plenare.
Sigurisht se kjo nuk është zgjidhja e duhur për tejkalimin e krizës ekonomike nga inflacioni, por është zgjidhja e vetme që ka mbetur në dispozicion të qytetarëve për të përballuar më lehtë krizën pasi kanë munguar masat substanciale nga Qeveria. Masat e ndërmarra kanë qenë të kufizuara kryesisht në skemat sociale dhe pensionale.
Siç kemi propozuar vazhdimisht, Qeveria ka pasur dy mundësi në dispozicion për tu dalë në ndihmë qytetarëve përmes:
(1) rritjes së pagave së paku sa është norma e inflacionit dhe rritjes së pagës minimale në sektorin privat ose
(2) uljes së TVSH-së nga 18% në 8% dhe heqjes së përkohshme të akcizës.
Të dyja këto masa kanë qenë plotësisht të realizueshme, sepse të hyrat buxhetore janë rritur me mbi 20% për shkak të rritjes së çmimeve.
Në vend që mjetet buxhetore të shpenzohen duke i rritur pagat dhe duke i realizuar projektet kapitale, sot në buxhetin e shtetit janë grumbulluar rreth 700 milionë euro që po i zhvlerëson inflacioni.
Këta qeveritarë as nuk i shpenzojnë vetë mjetet e buxhetit në rritje të pagave e në projekte kaptiale, e as nuk i ulin tatimet dhe akcizat për t’ua lënë në dispozicion qytetarëve ato mjete.
Përderisa nuk i përfillen propozimet tona si opozitë për ndihmë ndaj qytetarëve, në seancë plenare projektligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit Pensional duhet të votohet”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10