
Ish Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk do të ketë luftë as në Kosovë as në rajon, dhe ka kritkuar Kurtin se po synon mbulimin e dështimeve të tij, raporton Gazeta10
Hoti ka thënë se luftë nuk do të ketë për shkak të prezencës së NATO-së në Kosovë dhe në rajon.
Tutje, ai ka thënë se e tëra që mund të ndodh në rajon është kolapsi demografik dhe ekonomik.
Hoti ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes përmendjes së luftës po synon të zhvendos vëmendjen nga keqqverisja e tij.
Këtu keni statusin e plotë:
“Nuk do të ketë luftë në Kosovë dhe as në rajon.
Asnjë qeveri në rajon nuk mundet dhe nuk guxon të mendoj të nis luftë. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë në NATO. Ndërkaq, NATO-ja është e vendosur në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë. Serbia është e rrethuar me anëtarë të NATO-s.
E gjitha çfarë mund të jetë e pritshme të ndodh, është përballja e Kosovës dhe rajonit me kolaps ekonomik dhe demografik. Gjithmonë nëse nuk zbatohen politikat e duhura, nëse nuk lëvizet më shpejt drejt integrimit evropian dhe nëse nuk zgjidhen mosmarrëveshjet ekzistuese.
Disa politikanë që e përmendin luftën, e bëjnë për të mbuluar dështimin në qeverisje. E bëjnë për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga kriza energjetike, inflaconi i lartë e pakënaqësitë sociale”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10