
Raporti: Fjolla Xheladini / Kanal10
Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizja FOL e kanë quajtur kundër kushtetues edhe versionin e ri të projektligjit për Këshillin prokuroria të Kosovës, i miratuar nga Qeverisë së Kosovës, javën që shkoi. Sipas këtyre organizatave Projektligji i ri është politizim objektiv i KPK-së. Mirëpo, nga Ministria e Drejtësisë i kanë arsyetuar ndryshimet e bëra, duke i quajtur në përputhje me kërkesat e Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias.
Versioni i ri i projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, sërish ka marrë kritika të shumta nga organizatat e shoqerisë civile që e monitorojnë sistemin e drejtësisë.
Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizja FOL kanë drejtuar kritika ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se projektligji i ri është politizim i KPK-së.
Lavdim Makshana, hulumtues në IKD, ka thënë se vërejtjet e tyre fokusohen tek numri i anëtarëve të KPK-së, ku është propozuar rritja nga 11 në 19 anëtarë.
Sipas Makshanës kjo përbërje është në kundërshtim me aktin me të lartë juridik në vend.
Më tutja ai ka vlerësuar se nëse nuk do ketë ndryshime gjatë punës së grupeve punuese, edhe ky Projektligj mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, sikurse ai paraprak.
Mirëpo, ndryshe po mendojnë në Ministrinë e Drejtësisë.
Genc Nimoni, këshilltar i ministres Albulena Haxhiu, për Kanal10 ka dhënë arsyet pse kanë propozuar rritjen e numrit të anëtarëve të KPK-së.
“Në kontekst të balancit në mes të anëtarëve prokurorë dhe jo-prokurorë, përbërja prej 19 anëtarëve (10 anëtarë prokurorë dhe 9 anëtarë jo-prokurorë) është e njëjtë si në përbërjen prej 7 anëtarëve (4 anëtarë prokurorë dhe 3 anëtarë jo-prokurorë) dhe nuk mundëson dominim nga shumica parlamentare qeverisëse. Rrjedhimisht, përbërja e KPK-së në versionin e ri, është në përputhje me Kushtetutën dhe standardet e lartpërmendura”, tha Genc Nimoni – Këshilltar i Ministres së Drejtësisë.
Tutje në këtë përgjigje thuhet se sipas vlerësimit të Ministrisë, ky kuorum është në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese (paragrafi 300).
Sipas Projektligjit të ri deri më 11 janar të vitit 2026, KPK-së do ti shtohen edhe tetë (8) anëtarë jo-prokurorë të zgjedhur me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi, pesë (5) prej të cilëve zgjedhen nga Kuvendi, dy (2) prej të cilëve zgjedhen në bazë të katër (4) nominimeve që pranohen nga Avokati i Popullit për përfaqësues nga radhët e anëtarëve të organizatave të shoqërisë civile, ndërsa një (1) pozitë rezervohet për profesorët universitar të drejtësisë. Derisa ky rregull pritet të zbatohet deri më 11 janar të vitit 2026. /Gazeta10