Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

IPK rekomandon suspendimin e dy policëve në Mitrovicën e Veriut

Gazeta10
18 August 2026 - 20:51

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar Policisë suspendimin e dy zyrtarëve të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Dy policët dyshohet se janë përfshirë në një rast gjatë një operacioni të zhvilluar në fshatin Dren të Zubin-Potokut.

Hetimi paraprak kishte nisur sipas detyrës zyrtare, pas raportimeve mediale dhe deklaratave publike të 11 gushtit lidhur me pretendimet e qytetarit me inicialet N.R. për tejkalim të autorizimeve nga disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, IPK-ja i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut”, thuhet në njoftim.

Ata po hetohen për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

IPK-ja kishte njoftuar më 12 gusht se qëllimi i hetimit ishte verifikimi i pretendimeve dhe sqarimi i fakteve e rrethanave që ndërlidhen me veprimet e policëve gjatë operacionit.

Departamenti i Hetimeve ka paralajmëruar veprime të tjera në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, me synimin që rasti të zbardhet plotësisht.

Inspektorati ka theksuar se hetimi vazhdon pa paragjykuar rezultatin e tij dhe se çdo informacion lidhur me sjelljen e zyrtarëve policorë trajtohet me seriozitet.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.