
Mbrojtësi i krahut të djathtë i Kombëtares së Anglisë, Reece James e ka konfirmuar se ai nuk do të merr pjesë në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
22 vjeçari ka filluar nga minuta e parë në katër ndeshjet e fundit të Anglisë, dhe ishte titullar i padiskutueshëm për skuadrën e Gareth Southgate në Botëror deri sa e pësoi një lëndim në gju në ndeshjen e Ligës së Kampionëve të Chelseat kundër Milanit.
Chelsea e kishte bërë zyrtare se James do të jetë jashtë fushave të paktën për tetë javët e ardhshme, kohë kjo e cila nënkupton se ylli anglez do të rikthehej nga lëndimi në fazën e çerekfinales së këtij Botërori.
Në atë kohë James kishte thënë se është në garë me kohën për tu rikuperuar dhe se nuk do të dorëzohet, por tani e ka konfirmuar që nuk do të jetë në listën e 26 lojtarëve të ftuar të Gareth Southgate.
“Jam i shkatërruar. Në minutën që unë e lëndova gjurin tim, e dija se kam shumë pak gjasa për Kupën e Botës, por ndjeja se ishte e mundshme. Kam punuar më shumë seç kam menduar ndonjëherë dhe me të vërtetë kam menduar se mund ta ndihmojë skuadrën”, tha James.“Unë e vlerësoj se kishte rrezik nga të dyja palët, por ishte një rrezik që unë isha i gatshëm ta merrja. Suksese djemve. Do të kthehem shpejtë. Qëndroni të sigurt dhe ju dërgoj dashuri”, deklaroi James.