
Ligjëruesi në Universitetin John Hopkins në Uashington, Edward Joseph ka folur për emërimin e Richard Grenell si i dërguar i posaçëm i SHBA-së nga presidenti, Donald Trump.
Joseph ka vlerësuar se Grenellit i pëlqen të arrijë marrëveshje për Trumpin.
“Përsëri, është shumë e vështirë. Mos ta harroni, në fund është Trumpi ai i cili merr vendime. Trump është impulsiv. Trumpit i pëlqejnë marrëveshjet. Richard Grennelit i pëlqen t’i arrijë marrëveshjet për Trump. Atij i pëlqen t’i arrijë këto marrëveshje për Donald Trump”, ka thënë ai.
Por, Joseph ka thënë se Richard Grenell ka raporte të afërta me Serbinë.
“Por ju e dini ai ka raporte të afërta me Beogradin, Richard Grenell, ata madje kanë njoftuar për një investim në hotel atje së bashku me Jared Kushner”, ka thënë Joseph në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
I pyetur për fshierjen e postimeve të Grenell ndaj Kurtit, ai ka thënë se Grenell ka qenë shumë kritik dhe nëse kryeministri e demonstron se e dëshiron bashkëpunimin, shpreson se ata do t’i thonë po.
“Unë nuk e njoh Richard Grennell personalisht por mendoj se janë mjaft pragmatikë nëse kryeministri Kurti mund të tregojë se nuk është për konfrontim dhe se dëshiron të bashkëpunojë, të ketë marrëdhënie bashkëpunimi. Nëse ai mund ta demonstrojë këtë, shpresojmë se ata do të thonë po”, ka thënë Joseph. /Gazeta10/