
Kandidatët për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe Ekrem Hyseni, janë përplasur rreth çështjeve të furnizimit me ujë të pijes dhe prioritetet e qeverisjes lokale, në debatin në “Politiko”.
Ekrem Hyseni kritikoi qeverisjen aktuale, duke thënë se investimet e kryera nga institucionet qendrore nuk kanë zgjidhur problematikën e ujit:
“Kur rren shumë nalt, rrej për tokë, ky është termi që përdoret në Llap. Uji i pijes është problem shumë i rëndësishëm, është një nga prioritetet tona. Me një ndërhyrje të shpejtë përmirësohet dukshëm vitin e parë, por zgjedhja afatgjate është në vitin e dytë. Nëse institucionet qendrore nuk e kishin thanë këtë mashtrim që i kemi investuar 250 milionë euro në Podujevë, pse nuk i investuan nja 10 milionë euro edhe me e zgjidh problemin e ujit,” tha Hyseni.
Nga ana tjetër, Shpejtim Bulliqi i kundërshtoi akuzat, duke theksuar se problemet e ujit janë trashëguar nga mandati i kaluar i LDK-së:
“Nuk jam këtu mu marr me akuza por me hallet e qytetarëve tanë. Po du me ju thanë atyre që marrin vesh nga kjo fushë, por jo atyre që nuk marrin vesh, Podujeva deri me 20 qershor të këtij viti ka funksionuar me një gyp që e lanë LDK-ja e këtij kundërkandidatit për 20 vite dhe ky paska shpresuar që kjo do të zgjidhet brenda një mandati,” tha Bulliqi.
Debati nxori në pah përplasjen e vizioneve dhe përgjegjësive për infrastrukturën lokale, veçanërisht në lidhje me furnizimin me ujë të pijes, një nga prioritetet kryesore të qytetarëve të Podujevës. /Gazeta10