
Kanal 10, televizioni i gazetarëve, është bërë mediumi i parë në Kosovë që nënshkruan Deklaratën për Gazetari të Ndjeshme Gjinore, duke u angazhuar për promovimin e barazisë gjinore dhe përmirësimin e standardeve etike në raportim.
Ky hap i rëndësishëm është realizuar në kuadër të përpjekjeve të Kanal 10 për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë, duke ofruar një raportim më të ndjeshëm dhe gjithëpërfshirës ndaj çështjeve gjinore. Deklarata angazhon profesionistët e mediave të respektojnë dhe zbatojnë praktika të gazetarisë që pasqyrojnë drejtë diversitetin gjinor, duke eliminuar çdo formë diskriminimi të bazuar në gjini.
Kjo iniciativë është realizuar përmes projektit “Avancimi i barazisë gjinore dhe diversitetit përmes eliminimit të diskriminimit me bazë gjinore në vendin e punës”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe implementuar nga Instituti Kombëtar për Studime të Politikave dhe Qendra e Këshillimit për Gazetarët.
Kanal 10, si një aktor i rëndësishëm i medias në Kosovë, riafirmoi angazhimin e tij për të qenë një shembull në promovimin e gazetarisë etike dhe përgjegjshme. Me këtë nismë, ai thekson rëndësinë e krijimit të një mjedisi mediatik që respekton dhe mbështet barazinë gjinore, si dhe ofron mundësi për të gjithë individët, pa dallim gjinie, të kontribuojnë dhe të shprehin veten në mënyrë të barabartë.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të raporteve ndërmjet mediave dhe komunitetit, për t’u mundësuar atyre të luajnë një rol të fuqishëm në edukimin e publikut dhe ndihmën për ndryshimin e mentaliteteve për sa i përket çështjeve gjinore.
Kanal 10 vazhdon të mbajë angazhimin e tij për të qenë një pionier në krijimin e një medieje më të ndjeshme dhe të barabartë, duke siguruar që të gjitha grupet shoqërore të kenë mundësi të përfaqësohen dhe dëgjohen në mënyrë të drejtë dhe pa paragjykime.