
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka marrë pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë.
Sipas raportimit të “Euronews Albania”, Kurti ka qenë në agjendë që të marrë fjalën pas presidentes Vjosa Osmani, por pjesëmarrjen e anuloi në momentin e fundit.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, raportohet se ka deklaruar që Kurti ka pasur angazhime të tjera sot në agjendë, duke përfshirë edhe seancën e Kuvendit të Kosovës.
“Në Samitin e Diasporës i cili po organizohet në Tiranë, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, po marrin pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi. Gjithashtu, pjesëmarrëse është dhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Për shkak të angazhimeve në agjendë, përfshirë seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku me kërkesë të opozitës do të raportojë mbi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, Kryeministri Kurti nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë organizim”, ka thënë ai.