Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Konakoviqi dëbon nga Bosnja dy diplomatë serbë: U jep 48 orë të largohen

Gazeta10
08 September 2026 - 14:53

Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka njoftuar të martën se ka shpallur persona të padëshiruar dy zyrtarë të Ambasadës së Serbisë në Sarajevë, duke u dhënë atyre 48 orë kohë për të lënë territorin e Bosnjë-Hercegovinës.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, të dytën brenda dy ditësh, Konakoviq tha se vendimi është marrë në përputhje me rregulloren për shpalljen e personave të padëshiruar.

Bëhet fjalë për Milan Dulanoviqin, atashe ushtarak në Ambasadën e Serbisë, dhe Darko Maksimoviqin, këshilltar të përfaqësuesit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) në këtë ambasadë.

“Këta dy persona kanë afat prej 48 orësh për ta lënë Bosnjë-Hercegovinën”, deklaroi Konakoviq, duke shtuar se kartat e tyre diplomatike do të anulohen.

“Janë dëbuar nga Bosnjë-Hercegovina në përputhje me kompetencat që kemi dhe u bëjmë thirrje që t’i respektojnë rreptësisht rregullat e shtetit tonë”, tha ai.

Konakoviq njoftoi gjithashtu se po shqyrton mundësinë e rishikimit të numrit të diplomatëve dhe stafit në Ambasadën e Serbisë në Sarajevë.

Ai tha se një nga çështjet që ka ndikuar në qëndrimin e autoriteteve boshnjake është edhe fotografia me mbishkrimin “Pravac Potočari”, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Serbi.

“Është më mirë që njerëzit tanë të mos ndalen në një Beograd të tillë, në një Serbi të tillë dhe te një Vuçiq i tillë. Po e zvogëlojmë numrin e njerëzve tanë në ambasadë atje”, deklaroi Konakoviq.

Ministri boshnjak tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është organizatori i asaj që, sipas tij, ka ndodhur ditëve të fundit në Serbi, përfshirë edhe mesazhet kontroverse të shfaqura gjatë ndeshjes mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit.

Duke folur për reagimin e Bashkimit Evropian, Konakoviq tha se e vlerëson faktin që BE-ja e ka korrigjuar deklaratën e saj të parë, por konsideron se deklarata e dytë ende nuk është mjaftueshëm e qartë.

Në fund, Konakoviq njoftoi se Bosnjë-Hercegovina ka tërhequr pëlqimin për nënshkrimin e një deklarate të përbashkët për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal.

“Deklarata duhej të nënshkruhej në Mal të Zi më 1 tetor. Ne e kemi tërhequr pëlqimin. Deklarata të tilla nuk do t’i nënshkruajmë përderisa kemi një Serbi të tillë të viteve ’90, të cilën po e shohim këto ditë”, tha Konakoviq.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.