
Kongresmeni republikan amerikan Joe Wilson ka thënë se nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiqit Serbia është larguar nga sundimi i ligjit dhe është afruar me, “armiqtë e lirisë”.
Wilson teksa ka bërë të ditur se bashkë me kongresmenin demokrat William Keating kanë prezantuar “SRBIJA Act”, një nismë dypartiake që adreson zhvillimet politike në Serbi, tha se Vuçiq qëllimshëm është afruar me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Nën presidentin Vuçiq, Serbia është larguar qëllimisht gjithnjë e më shumë nga sundimi i ligjit dhe është afruar me armiqtë e lirisë, si krimineli i luftës Putin, Partia Komuniste Kineze dhe regjimi terrorist në Teheran”, ka shkruar Wilson.
Ai ka theksuar se protestat e gjera kundër korrupsionit po vazhdojnë në Serbi, ndërsa ka paralajmëruar se qeveria e Vuçiqit po kërcënon stabilitetin e rajonit dhe më gjerë.
“Pavarësisht protestave të gjera kundër korrupsionit, qeveria e Vuçiqit kërcënon të destabilizojë rajonin dhe më gjerë. Populli i Serbisë meriton më mirë”, ka deklaruar Wilson.
“SRBIJA Act” është paraqitur si nismë dypartiake në Kongresin amerikan, në një kohë kur në Serbi vazhdojnë protestat masive të qytetarëve dhe studentëve kundër korrupsionit dhe qeverisjes së Vuçiqit.