
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur në takim udhëheqësit e partisë pan-evropiane të cilët i ka njoftuar për reformat në PDK, raporton Gazeta10.
Krasniqi ka thënë se ai i ka njoftuar ata edhe për fuqizimin e grave dhe të rinjve në vendimarrje.
Më tej, ai ka thënë se PDK ka shprehur vullnetin që të bëhet anëtare e ALDE-së.
Tutje, Krasniqi ka thënë se ai ka falënderuar delegacionin e kësaj aleance.
Këtu keni statusin e plotë:
“Kisha nderin që t’i mirëpres në Prishtinë udhëheqësit e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), partisë pan-evropiane që mbledhë rreth vetes partitë liberale nga mbarë Evropa.
Delegacionin e ALDE-s, të prirë nga bashkëpresidenti i saj, eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk, i njoftova për zhvillimet dhe reformat që ka ndërmarr PDK-ja së fundmi, me theks të veçantë fuqizimin e grave dhe të rinjve në vendimmarrje.
Bashkë diskutuam edhe për zhvillimet aktuale politike në vend dhe qëndrimet e PDK-së lidhur me to.
Në Kongresin e fundi të ALDE-s në Dublin të Irlandës, ku isha pjesëmarrës nga 2 deri 4 qershor, kam shprehur vullnetin e PDK-së që të bëhemi anëtare me të drejta të plota e kësaj Aleance.
Delegacionin e ALDE-s e falënderova për vizitën dhe vullnetin për të mbështetur Partinë Demokratike të Kosovës në vizionin e saj të ri”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10