Udhëheqësi i Demokracisë në Veprim, Ismet Kryeziu ka deklaruar se ka pasur shkelje para fillimit të datës zyrtare të fushatës zgjedhore.
Kryeziu ka thënë se vendimi i Qeverisë për ngritjen e pensioneve është kundër standardeve dhe etikës në zgjedhje, ngaqë siç theksoi ai, mund të konsiderohet si ndërhyrje në procesin zgjedhor.
“Unë mendoj që ka pasur shkelje që cenojnë standardet dhe vlerat e zgjedhjeve dhe garancinë ose barazinë mes subjekteve politike. Ka pasur vendime të Qeverisë për ngritjen e pensioneve p.sh. ky sot që është marrë një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore”, ka thënë Kryeziu në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
Sipas Kryeziut, ky vendim shpërfaq keqpërdorimin e burimeve publike.
Ndër të tjera, ai ka përmendur edhe shtesat e dhëna nga Qeveria në fundvit për fëmijët dhe pensionistët, duke thënë se mund të merret si veprim në kuadër të fushatës zgjedhore. /Gazeta10/