
Raporti: Egzona Shala
Pas publikimit të incizimeve, në mbrojtje të shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ka dal kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Kurti nuk ka folur shumë për komunikimin e Mimoza Kusari-Lilës me Milan Radojçiqin, derisa ka thënë se atë ia ka lëshuar në interfon Slavko Simiqi i Listës Serbe. Ndërkohë, nga PDK-ja kanë kërkuar hetime për komunikimet e pushtetit me Radojçiqin, njeriun e sanksionuar nga SHBA-ja.
Obligim kushtetues për të siguruar më shumë vota për kalimin e ligjeve, e ka cilësuar kryeministri i vendit, Albin Kurti, komunikimin e shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me Slavko Simiqin e Listës Serbe.
Ndërkaq, për bisedat e saj me Milan Radojçiqin, Kurti ka thënë se Simiqi atë ia ka lëshuar në interfon, Kusari-Lilës.
Kreu i ekzekutivit kosovar ka mbrojtur shefen e deputetëve të partisë së tij, duke thënë se në materialet e publikuara dëgjohen vetëm disa pjesë të Kusari-Lilës dhe sipas tij, më shumë ka interpretime, siç i ka quajtur ai, partizane.
Kurti ka kërkuar që me këtë çështje të merren organet e drejtësisë.
Rreth këtyre audio-incizimeve ka folur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu .
Ajo ka thënë se komunikimi mes Kusari – Lilës dhe Simiqit është i prerë, i redaktuar dhe i montuar me tendenca të shantazhit.
E ndaj deklaratës së Haxhiut ka reaguar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu e cila ka thënë se është rrënuese për Kosovën që ministrja e arsyeton koordinimin e Kusari-Lilës me Listën Serbe.
Ajo ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që të intervistojë kryeministrin Kurti dhe Kusari Lilën për t’i pyetur rreth Milan Radojiçiqit.
Tri ditë radhazi, Nacionale ka publikuar një audio-incizim, në të cilin bisedojnë shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe zyrtari i lartë i Listës Serbe, Slakvo Simiq.
Në bisedimet e tyre, përveç disa pikave rreth agjendës legjislative, aty përmenden bisedat e saj me Milan Radojçiq, i sanksionuar nga SHBA-ja dhe i dyshuar për vrasjen e ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, për çka vazhdon të jetë nën kërkim nga organet e drejtësisë. /Gazeta10/