Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti: Pa barazi gjinore s’ka barazi sociale

Gazeta10
22 July 2024 - 10:09

Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në platformën ‘X’ ka renditur të arriturat e qeverisë së tij, teksa ka thënë se nuk mund të ketë barazi sociale pa barazi gjinore.

“Kjo është arsyeja pse qeveria jonë socialdemokrate po punon vazhdimisht për të përmirësuar mundësitë për gratë dhe vajzat, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat”, ka theksuar Kurti, teksa ka renditur arritjet e qeverisjes së tij.

“51% e të rinjve të punësuar nëpërmjet platformës sonë të sponsorizuar nga qeveria, SuperPuna së bashku me 55% të përfituesve të masës sonë të punësimit për familjet janë gra. Ne kemi mbështetur vende pune për mbi 12 mijë gra në tre vitet e fundit”, ka shkruar Kurti.

Tutje i pari i ekzekutivit ka thënë se kanë zbatuar masa të synuara ndaj bizneseve në pronësi ose në bashkëpronësi të grave dhe u kanë dhënë atyre grante dhe subvencione më të larta në kuadër të programeve të efiçiencës së energjisë.

“Më shumë se 100 mijë gra kanë hapur llogaritë bankare për herë të parë. Mbi 55 mijë gra kanë përfituar për herë të parë nga shtesat tona të lehonisë. Në tre vitet e fundit ne kemi financuar mbi 4600 bursa universitare për gra dhe vajza në STEM. Ata tani përbëjnë 50% të studentëve në fushat STEM në Universitetin e Prishtinës – një arritje e jashtëzakonshme e barazisë gjinore në fushat tradicionalisht të dominuara nga meshkujt”, ka shkruar tutje Kurti.

Ai ka thënë se kanë integruar politikëbërjen me bazë gjinore në fusha të tilla si energjia, duke ofruar bursa dhe praktika për gratë në energji.

“Numër rekord i grave në pozita vendimmarrëse në institucionet publike, përfshirë ndërmarrjet publike, në të cilat kemi katërfishuar (nga 10% në 45%) peshën e grave në bordet drejtuese. Arsimi, punësimi, përfaqësimi, mirëqenia dhe pavarësia financiare janë shtyllat kryesore të barazisë sociale dhe gjinore. Jemi krenarë që nën udhëheqjen e Qeverisë sonë, këto shtylla janë më të forta se kurrë”, ka përfunduar Kurti.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.