
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti në zyrën e tij, dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen nga New Hampshire dhe Peter Welch nga Vermont.
Fillimisht, kryeministri Kurti falënderoi dy senatorët për vizitën e tyre, të cilët po shoqëroheshin nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe për solidaritetin e treguar me vendin dhe popullin tonë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, si dhe për mbështetjen e gjatë dhe të vazhdueshme ndaj Kosovës.
Ai nënvizoi dëshmitë e mbledhura deri më tani të cilat faktojnë në mënyrë të pamohueshme përfshirjen e shtetit të Serbisë në sulmit paramilitar të së dielës së 24 shtatorit, në mëngjesin e hershëm të së cilës ra në krye të detyrës, rreshteri i Policisë së Kosovës dhe Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku si dhe provat që dëshmojnë së sulmi ishte pjesë e një plani më të madh që synim kishte aneksimin e veriut të Kosovës.
Në deklarimin për media pas takimit, në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kryeministri Kurti u shpreh se ai nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë, dhe kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë dhe qëllimin e saj të ekspozuar për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës. Që dialogu të ketë gjasa për ndonjë sukses, krahas sanksioneve ndaj Serbisë, shtoi kryeministri, është jashtëzakonisht e rëndësishme që qasja të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj, dhe që Serbia të zbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetit të saj territorial.