
Raporti: Kanal 10 / Kanal10
Kryesia e Kuvendit ka dështuar sërish që të caktojë seancë të re plenare, për shkak të mungesës së kuorumit. Kësaj radhe ishin përfaqësuesit e pushtetit, të cilët munguan në mbledhjen e thirrur nga kryetari, Glauk Konjufca. E, opozita e quajti të dëmshëm bllokimin e punës së Kuvendit, nga pastria në pushtet.
Kuvendi i Kosovës, assesi nuk po arrin të funksionojë normalisht.
Edhe të hënën, ka dështuar mbledhja e Kryesisë, për shkak të mungesës së kuorumit.
Mbajtjen e kësaj mbledhje e pamundësojë vet pushteti, pasi përfaqësuesit e saj nuk ishin prezent.
Ndërkohë, opozita ka akuzuar partinë në pushtet për bllokimin e punës së legjislativit.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për dështimet e mbledhjeve të Kryesisë dhe seancave të plenare.
Sipas tij, bllokimi i agjendës legjislative është i dëmshëm për Kosovën.
Për shkak të dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës në mungesë të përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk do të mund të mbahet as interpelanca e thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për ministrin e Financave, Punës dhe Transfere, Hekuran Murati.
Edhe shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, theksoi se vazhdimi i qeverisë Kurti, është vazhdimi i agonisë dhe i varfërisë.
Megjithatë, në bazë të vendimit të seancës së kaluar, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re plenare të enjten, më 15 qershor në orën 11:00, për të shqyrtuar në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet.
Më pas do të vijohet me shqyrtimin e pikave nga seancat e papërfunduara. /Gazeta10