Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Lansohet Kurrikula për programet e trajtimit të dhunës, konsiderohet moment historik

Gazeta10
02 December 2022 - 13:15

Sot, në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, u lansua Kurrikula për programet e trajtimit të dhunës.

Me këtë rast, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, u shpreh se ky moment është rëndësishëm, pasi për herë të parë në vendin tonë, siç tha ajo po lansohet një dokument i rëndësishëm, transmeton Gazeta10.

Duke folur për dhunën, Haxhiu u shpreh se përgjigja ndaj rasteve të dhunës në familje kërkon qasje dhe bashkëveprim shumë-sektorial, përcjellur me një varg shërbimesh të reagimit të sigurisë.

“Për mua ky është një moment i rëndësishëm, duke pasë parasysh që për herë të parë Republika e Kosovës, për herë të parë po e lanson një dokument të rëndësishëm, pra siç e përmenda kurrikulën për trajnimin e profesionistëve për ofrimin e programeve për kryesit e dhunës në familje në Republikën e Kosovës. Siç jemi të gjithë dëshmitarë, dhuna në familje është një fenomen alarmant dhe tejet i përhapur në shoqërinë tonë dhe kjo ndikuar nga normat patriarkale, ndarja e roleve gjinore dhe pabarazia, pothuajse në çdo sferë të shoqërisë tonë. Dhe, viktima të dhunës në familje, në shumicën dërmuese të rasteve, vajzat dhe gratë. Përveç grave, vuajnë edhe fëmijët, ata duke qenë edhe viktima të dhunës, por edhe dëshmitarë të dhunës në familje, duke përjetuar ngjarje traumatike, ndërsa gjasat janë shumë të mëdha që këta fëmijë të kopijojnë sjelljet abuzive dhe në të ardhmen e tyre të veprojnë njëjtë sikurse edhe prindërit e tyre. Pra, fatkeqësisht pasojat e dhunës në familje nuk janë vetëm të kësaj gjenerate aktuale, por është një cikël që përcillet edhe tek gjeneratat e së ardhmes. Dhe përgjigja ndaj rasteve të dhunës në familje kërkon qasje dhe bashkëveprim shumë-sektorial, përcjellur me një varg shërbimesh të reagimit të sigurisë, shërbimeve sociale që mundësojnë trajtimin e mirëfilltë të tyre. Këto shërbime duhet pasur gjithmonë në qendër sigurinë dhe mirëqenien e viktimës.”, tha ajo.

Ministrja deklaroi se rastet e dhunës në familje duhet të trajtohen me seriozitetin më të lartë nga institucionet e drejtësisë. Ajo tha se mosprezenca e përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë në organizimin e sotëm flet për ndërgjegjen e tyre.

“Kryerësit e këtij krimi duhet të ndiqen penalisht, të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre dhe të marrin dënime meritore. Dhe kur jemi këtu, ne shohim që për shkak mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë, vajzat dhe grate në Republikën e Kosovës po vriten. Edhe sa vajza dhe gra duhet vriten në mënyrë që të këndellet sistemi i drejtësisë. Edhe sa vajza dhe gra duhet të vriten në mënyrë që kriminelët mos të lëshohen në procedurë të rregullt. Edhe sa vajza dhe gra duhet të vriten në mënyrë që gjykatat mos të shqiptojnë dënimin nën minimumin që parasheh kodi penal i Republikës së Kosovës. Dhe fakti që as sot në këtë organizim të rëndësishëm nuk i kemi përfaqësuesit nga sistemi i drejtësisë, flet shumë për ndërgjegjën e tyre.”, u shpreh ajo, duke vlerësuar prezencën e policisë, sepse siç tha, në secilin aktivitet të 16 ditëve të aktvizimit, ata kanë qenë të pranishëm.

Haxhiu deklaroi se përmes Kurrikulës së lansuar, po përmbushin njërën nga aktivitetet e parapara që dalin nga objektiva e strategjisë kombëtare, që lidhet me zhvillimin e pakos së moduleve për programet e trajtimit psiko-social për kryerësit e dhunë në familje./Gazeta10.

“Përgjatë vuajtjes së dënimeve të tyre, pra po flas për ata, të cilët shpallen fajtorë për këto vepra penale, dhunuesit duhet të kenë trajtim psiko-social përmes ofrimit të programeve adekuate, ku edukohen dhe ndryshohen në të mirë sjelljet e tyre të papërgjegjshme, të dënueshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojmë me të drejtë në përmirësimin e sjelljeve së atyre individëve, të cilët janë mbajtur në qendrat korrektuese gjatë vuajtjes së dënimit. Strategjia kombëtare për parandalimin dhe mbrojtje ndaj dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave 2022-2026, i miratuar në janar të këtij viti përcakton objektivin strategjik, pra krijimi dhe zbatimi i programeve për trajtimin psiko-social, të kryersve të veprave penale të dhunës, kështu duke qenë në përputhshmëri me Konventën e Stambollit, e cila përcakton se palët duhet të ndërmarrin masat e nevojshme legjislative ose masat e tjera për të krijuar ose mbështetur programe që synojnë edukimin e kryersve të dhunës në familje. Me anë të zhvillimit të kurrikulës për trajnimin e profesionistëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje në Republikën e Kosovës, të cilën po e lansojmë sot, ne po përmbushim njërën nga aktivitetet e parapara që dalin nga objektiva e cekur më parë e Strategjisë Kombëtare, më saktësisht dhe respektivisht, ajo që lidhet me zhvillimin e pakos së moduleve për programet e trajtimit psiko-social për kryerësit e dhunë në familje. Dhe unë jam shumë e lumtur domethënë që brenda vitit të miratimit të Strategjisë Kombëtare kemi arritur që të bëjmë një hap të madh për krijimin e këtyre programeve tejet të rëndësishme.”, tha Haxhiu.

Ajo potencoi se kurrikula ka për qëllim që të vendosë bazën për themelimin dhe ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në Kosovë, në linjë me Konventën e Stambollit. Sipas Haxhiut, me miratimin e kësaj kurrikule, Ministria e Drejtësisë do të vendosë korniza të zhvillimit të implementimit dhe ofrimit të programeve për kryesit e dhunës në familje në Kosovë.

Ministrja tregoi se në këtë muaj do të fillojnë menjëherë me trajnimin e trajnerëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje bazuar në kurrikulë. Haxhiu u zotua që si ministre e Drejtësisë, secili veprim që bie brenda mandatit të saj si ministre, do të përfundohet në përputhje me përgjegjësitë që ajo ka.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.