
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, i ftuar në emisionin “Gazeta”, ka komentuar zhvillimet e fundit në Policinë e Kosovës, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke u ndalur edhe te dorëheqja e drejtorit të deritanishëm, Gazmend Hoxha.
Maliqi ka shprehur keqardhje për largimin e Hoxhës, duke vlerësuar kontributin e tij shumëvjeçar në shërbim të Policisë së Kosovës. Megjithatë, ai ka ngritur dilema rreth natyrës së kësaj dorëheqjeje, duke vlerësuar se ajo më shumë i ngjan një dorëheqjeje të imponuar sesa një vendimi të marrë mbi baza morale.
“Ndjej keqardhje për dorëheqjen e drejtorit, duke e çmuar dhe llogaritur kontributin e tij shumëvjeçar. Por, po thuhet se bëhet fjalë për dorëheqje morale. Për mua, dorëheqja morale do të ishte dorëheqja e menjëhershme pas rastit. Kjo më tepër po më duket si një dorëheqje e imponuar, e kërkuar nga dikush tjetër”, ka deklaruar Maliqi.