
Maroku u bë kombëtarja e parë që arriti një rekord historik gjatë barazimit 1-1 ndaj Brazilit në Grupin C të Kupës së Botës.
Kampionët e Kupës së Kombeve të Afrikës zhvilluan një paraqitje të shkëlqyer kundër skuadrës së drejtuar nga Carlo Ancelotti, me mesfushorin 18-vjeçar Ayyoub Bouaddi që ishte ndër lojtarët më të spikatur.
Sulmuesi i PSV-së, Ismael Saibari, i dha epërsinë Marokut në pjesën e parë, duke e kaluar topin mbi portierin brazilian Alisson pas një pasimi perfekt në thellësi nga Brahim Diaz.
Brazili barazoi në minutën e 32-të falë një goditjeje të fuqishme të Vinicius Junior në këndin e djathtë të portës.
Nuk ishte pikërisht paraqitja që “Seleçao” kishte shpresuar të bënte dhe ky rezultat do të thotë se ata mund të kenë nevojë që Maroku të gabojë në ndeshjet e ardhshme për të fituar grupin e Kupës së Botës, edhe nëse i fitojnë të dyja takimet e mbetura.
Brazili është një nga disa kombëtare në këtë turne që kanë pjesën më të madhe të skuadrës të përbërë nga lojtarë që aktivizohen në kampionate të tjera.
Lucas Paqueta i Flamengos ishte përjashtimi i vetëm në formacionin titullar kundër Marokut.
Nga ana tjetër, kundërshtarët e tyre nuk kishin asnjë lojtar në formacionin startues që luante në kampionatin vendas maroken.
Tre prej tyre – Issa Diop, Chadi Riad dhe Noussair Mazraoui – luajnë në Premierligë, ndërsa ish-mesfushori i Leicesterit, Bilal El Khannouss, tani luan në Bundesliga me Stuttgartin dhe Achraf Hakimi aktivizohet te PSG, kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve.
Dy lojtarët e vetëm në skuadër që luajnë për klube marokene janë portierët rezervë Munir Mohamedi dhe Ahmed Reda Tagnaouti.
Për më tepër, krahas faktit që të 11 titullarët luanin jashtë vendit, Maroku aktivizoi në pjesën e dytë një formacion të tërë me lojtarë të lindur jashtë vendit.
Nëntë nga 11 lojtarët kishin lindur në Spanjë, Francë ose Belgjikë, ndërsa mbrojtësi i djathtë i Manchester Unitedit, Mazraoui, ka lindur në qytetin holandez Leiderdorp.
Portieri Bono, ndërkohë, ka lindur në Montreal të Kanadasë.
Edhe trajneri Mohamed Ouahbi, i cili po drejtonte ndeshjen e tij të parë zyrtare kundër Brazilit, ka lindur në Bruksel të Belgjikës.
Mbrojtësi qendror Issa Diop, i lindur në Toulouse të Francës, përfaqësoi Francën në të gjitha nivelet e moshave deri tek U21 dhe vendosi të ndryshojë përfaqësuesen duke zgjedhur Marokun më herët gjatë këtij viti, para Kupës së Botës.
Ky rekord u regjistrua në minutën e 65-të, pasi anësori i Strasbourgut, Samir El Mourabet, zëvendësoi Azzedine Ounahin, i lindur në Marok.
El Mourabet, i lindur në Strasbourg, është produkt i akademisë së klubit francez dhe, në moshën 20-vjeçare, konsiderohet si një nga talentet më premtuese të kombëtares së tij.
Ky statistikë historike zgjati 24 minuta, përpara se sulmuesi i lindur në Marok, Soufiane Rahimi, të futej nga stoli në minutat e fundit të ndeshjes në Nju Jork.