Duhet Lexuar

Marrëveshja e grurit ukrainas drejt skadimit, asnjë sinjal për shtyrje

Gazeta10
15 Korrik 2023 - 16:32

Rriten shqetësimet nëse Rusia do të pranojë të shtyjë një marrëveshje për eksportimin e grurit ukrainas, afati i së cilës përfundon më 17 korrik. Ndërkohë luftimet kanë vazhduar me intensitet të shtuar në Kherson, rajon në jug të Ukrainës. Komanda e Forcave të Operacioneve Speciale të këtij vendi ka shpërndarë pamje filmike që tregojnë forcat ukrainase duke kryer kontrolle një ishull të pushtuar nga Rusia në lumin Dnipro në rajonin e Khersonit.

Pamje të shpërndara nga Komanda e Forcave të Operacioneve Speciale të Ukrainës duket se tregojnë një sulm të Kievit, mbi pozicionet ruse në lumin Dnipro.

“Si rezultat i operacionit, një anije armike u shkatërrua dhe një u dëmtua dëmtuar”, thuhet në raportin e forcave speciale ukrainase.

“Përveç kësaj, pesë okupatorë janë neutralizuar”, shtohej më tej në raport.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të premten se “forcat ruse në pjesën jugore dhe lindore të Ukrainës po investojnë gjithçka për të ndaluar kundërsulmin ukrainas”.

“Çdo sukses i secilës prej brigadave tona luftarake meriton mirënjohje. Të gjithë ata që shkojnë në ofensivë, të gjithë ata që zmbrapsin sulmet e armikut, po bëjnë një punë të shkëlqyer dhe unë i jam mirënjohës secilit prej luftëtarëve tanë”, tha zoti Zelensky.

Ai shtoi se pavarësisht disa ditësh të frytshme, qeveria ukrainase vazhdon të nxisë për mbështetje ndërkombëtare.

“Ne nuk do të reduktojmë aktivitetin tonë ndërkombëtar për asnjë ditë të vetme, veçanërisht në lidhje me paqen, garancitë e sigurisë për Ukrainën në rrugën e saj drejt NATO-s si dhe marrëveshjet me partnerët për armë për Ukrainën dhe sanksione kundër Rusisë”, tha Presidenti ukrainas, Zelensky.

Të shtunën në Kiev zhvilloinjë vizitë të papritur Presidenti i Koresës së Jugut, Yoon Suk Yeol. Ai premtoi 150 milionë dollarë ndihmë humanitare vetëm për këtë vit.

“Koreja e Jugut do të vazhdojë të ofrojë furnizime ushtarake që i duhen Ukrainës. Pas furnizimeve ushtarake të vitit të kaluar si jelekët antiplumb dhe helmetat, ne do të mbështesim furnizimet ushtarake në një shkallë të gjerë këtë vit”, tha presidenti koreano-jugor.

Koreja e Jugut, një vend aleat i SHBA-ve dhe eksportues në rritje i armëve, është përballur me trysni për t’i ofruar armë Ukrainës, thirrje që administrata e presidentit Yoon i ka rezistuar në favor të ndihmës humanitare dhe financiare, e kujdesshme ndaj ndikimit të Rusisë mbi Korenë e Veriut.

Ndërsa lufta vazhdon, marrëveshja për eksportin e grurit ukrainas po skadon. Marrëveshja e njohur si “Gruri i Detit të Zi” përfundon më 17 korrik. Sot në Stamboll mbërriti anija e parafundit.

Anija “TK Majestic”, u ankorua pasi kaloi ngushticën e Bosforit në orët e para të së shtunës. Një zyrtare e OKB-së njoftoi se anija fundit “TQ Samsun”, është ende në portin e Odesës në Ukrainë.

Kremlini tha sot se Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e Afrikës e Jugut, Cyril Ramaphosa edhe mbi çështjen e marrëveshjes. Sipas njoftimit të presidencës ruse, zoti Putin është ankuar se “zotimet për të hequr pengesat ndaj eksporteve ruse të grurit dhe plehrave, nuk ishin mbajtur ende”.

OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan arritjen e marrëveshjes mes Rusisë dhe Ukrainës në korrikun e vitit të kaluar për të ndihmuar në zbutjen e një krize globale ushqimore të përkeqësuar nga agresioni rus dhe bllokada e Moskës ndaj porteve ukrainase.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.