
Raporti: Arteida Molliqaj
Agjencia Kundër Korrupsion ka ngritur kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Këtë për Kanal10 e kanë konfirmuar nga Prokuroria e Shtetit. Ndërkaq, partitë opozitare kanë kërkuar shkarkimin e ambasadorit Berishaj. Sipas tyre, përgjegjës duhet të mbahen edhe krerët e institucioneve që deri më tani e kanë mbrojtur ambasadorin Berishaj, shkruan Kanal10.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, do të hetohet për vepër penale të korrupsionit.
Agjencia Kundër Korrupsionit ka ushtruar kallëzim penal ndaj Berishajt, i cili dyshohet se nuk e ka deklaruar pasurinë e tij.
Për ambasadorin Berishaj, para disa muajsh ishte raportuar për përfshirjen e tij në një skandal financiar në Slloveni.
Ngritjen e kallëzimit penal ndaj tij, për Kanal10, e kanë konfirmuar nga Prokuroria e Shtetit.
“Ju njoftoj se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka pranuar nga Agjencioni Kundër Korrupsionit kallëzim penal kundër personit me inicialet M.B. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, kallëzimin penal e ka dërguar në kompetencë në Prokurori Themelore në Prishtinë“, tha për Kanal10 Ekrem Lutfiu – Zëdhënës i Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Ndërkaq, nga Agjencia Kundër Korrupsion, për televizionin kanë thënë se rasti i ambasadorit Berishaj, është i veçantë dhe si i tillë sipas ligjeve në fuqi, duhet të ruhet si informacion i klasifikuar.
“Agjencia obligohet të ruajë të dhënat, informacionin dhe dokumentacionin e marrë në bazë të këtij ligji dhe në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi. Kjo dispozitë ligjore është e rëndësisë së veçantë sepse Prokuroria gjatë trajtimit të rastit mund ta hedhë kallëzimin penal apo mund të zhvilloj hetime dhe ndjekje penale”. thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsion për Kanal10.
Pas ngritjes të kallëzimit penal, partitë opozitare në vend kanë kërkuar shkarkimin e ambasadorit Berishaj.
Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu ka thënë se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti me mbrojtjen ndaj Berishajt, kanë bërë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
Nga LDK-ja kanë thënë se një skandal i tillë dëmton imazhin e shtetit dhe se shkarkimi i tij është i domosdoshëm.
“Hapja e hetimeve, por edhe përfshierja e një ambasadori të Kosovës në skandale ndërkombëtare financiare, dëmtojnë rënd imazhin e vendit tonë, rrjedhimisht e bëjnë të pamundur përfaqësimin e shtetit.Prandaj, deri në përfundimin e rastit në fjalë, kërkojmë shkarkimin e Ambasadorit Martin Berishaj; siç dhe kërkojmë sqarimin e secilit zyrtar publik, që në fillet e shpërthimit të këtij skandali, kishin garantuar dhe marrë në mbrojtje ambasadorin në fjalë“, ka thënë për Kanal10, Jehona Lushaku-Sadriu – LDK
Ndërkaq, nga AAK-ja kanë thënë se rasti Berishaj është goditje ndaj shërbimit diplomatik të Kosovës, duke kërkuar shkarkimin e tij.
Kanal10 ka provuar të marr një qëndrim edhe nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme, por ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e televizionit.
Mediat sllovene muaj më parë kishin raportuar për dyshimet se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ishte përfshirë në një skandal pastrimi parash në Slloveni, në shumën prej 600 mijë euro.
Përkundër kësaj, krerët e institucioneve në Kosovë e kanë mbrojtur ambasadorin Berishaj, duke thënë se nuk ka prova se ai është i përfshirë në një skandal të tillë. /Gazeta10