
Në emisionin “Adresa”, Matoshi ka theksuar se LDK-ja nuk ka arritur të fitojë zgjedhje që nga viti 2004, duke e cilësuar këtë si një sinjal të rëndësishëm për gjendjen e partisë.
“Duhet me e parë fajin kush e ka. Duhet t’i japë llogari anëtarësisë së vet, sepse praktikisht nuk i ka fituar zgjedhjet që nga viti 2004. Kjo tregon diçka për këtë parti”, ka deklaruar Matoshi.
Sipas tij, kriza brenda LDK-së nuk prek vetëm strukturat e saj, por reflekton edhe në shoqërinë kosovare, pasi kjo parti ka pasur një rol të veçantë historik në zhvillimet politike të vendit.
Matoshi ka thënë se edhe qytetarët që nuk e kanë votuar asnjëherë LDK-në janë të shqetësuar për gjendjen e saj, duke e lidhur këtë me rëndësinë që kjo parti ka pasur në historinë e Kosovës.
Ai ka vlerësuar se LDK-ja ka qenë pjesë e rezistencës politike ndaj regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe ka marrë pjesë në proceset kryesore shtetformuese të Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.
Duke folur për zhvillimet e brendshme, Matoshi ka kritikuar mungesën e unitetit dhe përplasjet brenda strukturave të partisë, duke thënë se një LDK me probleme të brendshme është shqetësim edhe për skenën më të gjerë politike.
Në fund, analisti ka folur edhe për lidershipin aktual të LDK-së, duke thënë se sipas tij “epoka e lidershipit të Lumir Abdixhikut ka përfunduar”, ndërsa ka shprehur bindjen se mund të ekzistojë një zgjidhje e ndërmjetme përmes një kompromisi politik./Gazeta10