Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Lot e krenari në betimin e 300 ushtarëve të rinj të FSK-së (Foto)

Gazeta10
11 November 2022 - 11:35

Gjatë ditës së sotme në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, është mbajtur ceremonia shtetërore e betimit të 311 ushtarëve të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës, raporton Gazeta10.

Pjesë e kësaj ceremonie kanë qenë edhe figura politike si kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë certifikimit të  ushtarëve të rinj ka thënë se konkursi i radhës do të hapet më 28 nëntor për pranimin e mbi 600 ushtarëve.

“Jemi këtu për të  shënuar suksesin tuaj gjatë nëntë javëve. Jeni grupi më i madh që është certifikuar në ushtrinë tonë. Gjithsej 311 ushtarë. Konkursi i radhës do jetë më 28 nëntor, ku do të hapim konkursin për pranimin e mbi 600 ushtarëve të rinj.

Ai po ashtu tha se  rrugëtimi i FSK-së është i pamundur pa aleatët e vendit.

“Më e rëndësishme është që popullin ta keni me vete e populli është me ju. Të kujdeseni për prindërit tuaj e kemi amanet nga dëshmorët. Të nderuar ushtarë rrugëtimi ynë do të ishte i pamundur pa aleatët tanë. Do të përmbushim çdo obligim të familjes sonë të madhe. Këta do t’i dalin zot Kosovës”, ka thënë Mehaj.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca gjatë ceremonisë së rekrutëve të rinj ka thënë se ushtria është e shtetit por për të lindur ky shtet u deshtë shumë mund duke përmendur edhe luftën e UÇK-së.

“Sot po përmbyllet kjo fazë e rëndësishme e rekrutimit përmes certifikimit të 311 ushtarëve të rinj. Ushtria jonë po rritet e po forcohet në Kosovën tonë sovrane e demokratike. Ushtria është e shtetit dhe shteti është i popullit. Por, për të lindur ky shtet u deshtë shumë mund, sakrificë e përpjekje. Kjo përpjekje kulmoi me luftën e drejtë të UÇK-së, çlirimin e atdheut dhe largimin e okupatorit serb. Liri jonë e shenjtë i ka rrënjët në këtë luftë të lavdishme. Shteti ynë është i barabartë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim etnie. E kjo vlerë u rrit me mençuri. Për ta mbrojtur shtetin tonë e kemi FSK-në”, ka thënë Konjufca.

Konjufca, tha se Kosova nuk është shtet që ka pretendime territoriale, por po ndihet e kërcënuar nga Serbia.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm si popull se gjithçka që arritëm e bëmë së bashku me miqtë tonë ndërkombëtarë. Orientimi ynë është i qartë. Duam të jemi pjesë e NATO-s, Aleancës më të fuqishme të botës që i përfshin shtetet demokratike. Nuk jemi shtet që kemi pretendime territoriale, jemi republikë demokratike. Por ndihemi të kërcënuar nga Serbia. Paqja jonë po rrezikohet nga agresioni i Federatës Ruse mbi Ukrainën. Nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në tokën evropian pa hequr dorë Rusia nga Ukraina dhe Serbia nga Kosova”, ka thënë Konjufca. 

Pjesëmarrës në këtë ceremoni nuk ishte Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila është zyrtarisht edhe Komandante Supreme e FSK-së.

Mungesa e saj në këtë ceremoni lidhet me faktin se ajo po qëndron në Paris për të qenë pjesë e Forumit të Paqes. Fotot janë marrë nga Kallxo. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.