Zëdhënësi dhe njëherësh deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa në “Politiko” me Kushtrim Sadikun, ka folur edhe për koalicionet e mundshme që mund të bëjë kjo parti, meqë Kosova ndodhet në prag të zgjedhjeve.
Mustafa ka thënë se LDK ka qenë e qartë në deklaratat e tyre publike, ndërsa ka theksuar se beson se do të dalin të parët.
“Programi ynë është më i miri për katër vitet e ardhshme. Besojmë që do të dalim të parët”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka theksuar se LDK e ka një kandidat për kryeministër dhe një program qeverisës, duke thënë se zgjedhja e Abdixhikut si kryeministër është e vetmja “vijë e kuqe” për cilëndo parti politike në Kosovë.
“E vetmja situatë kur LDK do të jetë në qeverisjen e ardhshme do të jetë nëse do të kemi mundësi që z.Abdixhiku të jetë kryeministër. Kjo është e vetmja vijë e kuqe”, ka thënë Mustafa.
I pyetur nga Sadiku nëse do të bënin koalicion edhe me VV-në, Mustafa ka thënë se me Vetëvendosjen kanë hendek të gjer për shkak të historisë dhe dallimeve, porse ka ripërsëritur se vija e kuqe e tyre është që Abdixhiku të jetë kryeministër. /Gazeta10/