
Media 10 është fuqizuar edhe më shumë. E premtja ka sjellë në Kosovë një prej fondeve më të mëdha gjermane. Kështu, Java Multimedia Production dhe BKI Assets und Investments, me seli në Munchen të Gjermanisë, kanë arritur marrëveshje partneriteti. Kjo marrëveshje do të mundësoi që Media 10 të avancojëedhe më shumë në ngritjen profesionale dhe shtrirjen më të madhe rajonale dhe më gjerë.
Java Multimedia Production, kompania amë e TV 10, Radio 10 dhe Gazeta 10, ka njoftuar se ka arritur marrëveshje partneriteti me fondin investiv gjerman, BKI Assets und Investments, me seli në Munchen të Gjermanisë.
Ky partneritet strategjik do të mundësojë që Media 10 të avancojë ngritjen profesionale dhe të synojë primatin e medias shqiptare në rajon dhe diasporë.
Marrëveshja është nënshkruar në ambientet e Media 10, mes përfaqësuesve tëJava Multimedia Production, Arben Ahmeti, Fidan Rama dhe Kushtrim Sadiku, si dhe përfaqësuesve të BKI, Karl Heinze Kraus, Claudia Hozmann dhe Eugen Neziri.
Fondi gjerman BKI synon që në pesë vitet e ardhshme të rrisë gamën investive në Kosovë e rajon, dhe partneriteti me Media 10 do të lehtësojë këtë ndërmarrje.
Media 10, bëhet media e parë në rajon që krijon partneritet të tillë me një fond gjerman, duke e rritur kështu vlerën e tregut medial.
Me këtë rast, është thënë se televizioni i gazetarëve mbetet i përkushtuar në ruajtjen e profesionalizmit dhe ndërtimit të një media unike.
Java Multimedia Production ka falënderuar të gjithë partnerët për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të ëndrrës për median e gazetarëve.
Gjithashtu, Media 10 ka shprehur falënderime për kompaninë ndërmjetësuese mes bizneseve kosovare dhe gjermane, Serafim Consulting, për ndërmjetësimin në këtë marrëveshje.