
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes një komunikate për media ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare televizionit Klan Kosova.
“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes”, thuhet në njoftim.
Sipas MINT, në bazë të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare ‘KLAN KOSOVA’ SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë.
Për këtë rast, MINT-i ka dorëzuar në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës kallëzim penal.
“Në mënyrë që e vërteta rreth kësaj çështjeje të vërtetohet në proces gjyqësor dhe keqpërdoruesit potencial të përgjigjen para organeve të drejtësisë sipas normativave ligjore në fuqi”.
Po ashtu në njoftim theksohet se MINT shpreh besimin e plotë se Departamenti i Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, do të veproj në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurrim dhe pret me vëmendje maksimale dhënien dhe marrjen e veprimeve të këtij kallëzimi sipas procedurës përkatëse.
“MINT shpreh gatishmërinë e plotë, për të mbështetur gjithë veprimtarinë e Departamentit të Krimeve të Rënda gjatë këtij hetimi dhe për të dhënë çdo shpjegim që do të vlerësohet i nevojshëm për të zbardhur të vërtetën e plotë rreth kësaj çështjeje”.