
Deputeti i VV’së, Mefail Bajqinovci i ka reaguar Shefit të deputetëve të AAK-së, Besnik Tahirit, i cili sot theksoi se Kuvendi kur të rikthehet në sesionin vjeshtor, qysh në seancën e parë duhet të nis me mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti, raporton Gazeta Blic.
Bajqinovci në një prononcim për GazetaBlic i quan të kota deklaratat e tilla, pasi sipas tij, kjo opozitë nuk mund ta largojë nga pushteti kryeministrin Kurti.
“Po bëhen 2 vjet e gjysmë që opozita çdo tre muaj del me deklarata koti, duke thënë se, kjo Qeveri ra në dhjetor, mars, qershor e shtator. Kjo opozitë nuk mund ta largojë nga pushteti Kryeministrin Kurti”, tha Bajqinovci.
Bajqinovci ka folur edhe për anketimin e Pulsit Publik të UNDPS-së, ku sipas tij, kjo tregon se qytetarët janë të kënaqur me qeverisjen e Albin Kurtit dhe opozita s’mund të bëjë asgjë në këtë pikë.
Ai shton se Qeveria Kurti deri më 2025 do të ketë mandatin dhe vetëm populli mund ta largojë.
“Këta as nuk i kanë numrat e as mbështetjen popullore. E keni pas sot anketimin e Pulsit Publik të UNDPS-së, 51% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e kryeministrit Kurti, ky anketim nuk përfshin mërgatën”, tha ai.
“Andaj Qeveria Kurti deri në vitin 2025 do ta vazhdojë mandatin me punën e madhe që po bëhet. Nuk ka gjasa të largohet Qeveria, këtë e bën vetëm populli”, tha Bajqinovci për GazetaBlic.