
Në mungesë të të akuzuarit Mirand Terzija, për të dytën herë me radhë ka dështuar të nis gjykimi ku i njëjti së bashku me Ergim Qorollin dhe Blend Mjakun po akuzohen për kanosjen e deputetes nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra.
Mjaku, Terzija dhe Qorolli akuzohen se përmes rrjetit social “Facebook” e kanë kanosur deputeten Deliu-Kodra me fjalë të ndryshme, ndër to sipas aktakuzës deputetja u kanos edhe me fjalët “…kisha pre për zgjalli tkisha gri”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për mungesën e të akuzuarit Terzija, gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj bëri të ditur se ndaj të njëjtit gjykata ka lëshuar urdhëresë për verifikim adrese dhe dorëzim të ftesës, mirëpo sipas tij e njëjta nuk është realizuar.
Po ashtu, në këtë seancë e pranishme nuk ishte as e dëmtuara Deliu-Kodra, për të cilën gjykatësi Sadikaj tha se e njëjta ka qenë e ftuar në seancën e kaluar, në të cilën po ashtu ajo kishte munguar.
Andaj, në këto rrethana, seanca fillestare e paraparë për të mërkurën përsëri është shtyrë, pasi që edhe më 30 korrik 2024 kishte dështuar të mbahej.
Në fund, gjykatësi Sadikaj tha se për seancën e radhës ndaj të akuzuarit Terzija do të lëshohet urdhërese për sjellje me detyrim.
Ndërsa, të pranishëm në këtë seancë ishin prokurori Ali Ajdini, i akuzuari Mjaku me mbrojtësin e tij, avokatin Shpetim Bislimi si dhe i akuzuari Qorolli.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 7 shtator 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Ergim Qorolli, Blend Mjaku dhe Mirand Terzija po akuzohen se më 19 nëntor 2021, pas një seance të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me dashje dhe seriozisht e kanë kanosur deputeten Blerta Deliu-Kodra.
Aktakuza thotë se kanosjen ndaj Deliu-Kodrës, të akuzuarit e kishin bërë përmes rrjetit social “Facebook”, ashtu që i akuzuari Qorolli i ishte drejtuar me fjalët: “gjakin bre ta q…, robt bre ti q…,krejt ata të gjall e ata më të afrmit ti q…, bre k***ën e nanës ta q…, zoti shpirtin ta marrt qysh o mas keqi bre k***en e serbis ta q…”.
Ndërsa, i akuzuari Mjaku në akuzë thuhet se ishte drejtuar me fjalët: “krejt sha ki ti q…, dekmit ti kisha q.., edhe ti q., kisha pre për zgjalli tkisha gri”, kurse i akuzuari Terzija kishte shkruar fjalët: “krejt robt ti q… ha, qysh UQK terroristë ti q… gjakin e nanës ta q…k***en e dreqit, ta q… shkinën e nanës ho oj shkin ti q… tdekmit n loqk”, me çka tek tek e dëmtuara-deputetja Deliu-Kodra është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetë.
Me këto veprime Qorolli, Mjaku dhe Terzija po akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi