The Washington Post

Përpara se ta merrte detyrën kryesore për hetimet kunër Donald Trump, këshilltari special Jack Smith i kaloi vite duke punuar në Evropë, duke e ndjekur një rast krimesh lufte rast ky që i kryqëzoi rrugët shkurtimisht edhe me presidentin e atëhershëm të SHBA.

Për më shumë se tri vite si prokuror special që kishte për detyrë t’i shqyrtojë akuzat për krime lufte në shtetin më të ri evropian, Kosovë, Smith dërgoi dy burra në burg për ndarjen e informacioneve të ndjeshme të marra nga zyra e tij duke e akuzuar presidentin e athershëm të Kosovës – akuza këto që përmbysën një samit të paqes të organizuar nga Trump në Shtëpinë e Bardhë në qershor të vitit 2020. Gjatë punës së tij, Smith i përballoi pyetjet e shpeshta në lidhje me legjitimitetin e zyrës së tij të pazakontë dhe vazhdoi me hetimin e tij pavarësisht presionit nga jashtë për ta përshpejtuar ose ngadalësuar atë.

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland dhe këshilltarët e tij shpresojnë se këto përvoja do ta mbërthejnë Smithin për sfidat dhe sulmet që vijnë me hetimin e një ish-presidenti të SHBA-së, i cili të mërkurën i krahasoi publikisht agjentët e FBI-së që e hetonin atë me Gestapon.

Garland e pati emëruar Smithin në nëntor për t’i mbikëqyrur prokurorët në dy raste. E para përfshin qindra dokumente të klasifikuara që me sa duket janë marrë në shtëpinë e ish presidentit Trump në Florida pas përfundimit të presidencës së tij; e dyta është një hetim i intrigave që çuan në sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol Hill të SHBA dhe përpjekjet për ta përmbysur fitoren presidenciale të Joe Biden.

Ky emërim tërhoqi skepticizëm dhe zemërim nga mbrojtësit republikanë të Trump, disa prej të cilëve përdorën aktivitetin politik të gruas së regjisorit të Smith për ta vënë në dyshim aftësinë e tij për të qenë i paanshëm. Dhe, krejt kjo u ndërlikua edhe më shumë këtë muaj, me Garland që emëroi një këshilltar tjetër special, Robert K. Hur, për ta hetuar një skandal me dokumente të klasifikuara ku përfshihen Presidenti Biden dhe këshilltarët e tij. Ky rast është i ngjashëm në disa mënyra me hetimin e dokumenteve të Trump, por deri më tani përfshin dallime kryesore.

Ish-kolegët e Smith shpesh e citojnë karrierën e tij si prokuror amerikan – fillimisht për Prokurorinë e Qarkut në Manhatan, më pas për zyrën e prokurorit të SHBA në Bruklin dhe selinë e Departamentit të Drejtësisë – si përvoja kyçe për t’u përdorur ndërkohë që po e heton ish-presidentin. Mënyra më e mirë për ta kuptuar qasjen e Smith ndaj punës së tij të re, megjithatë, mund të mos shtrihet në punën e tij të kaluar në Shtetet e Bashkuara, por në kohën e tij më të fundit në Hagë, duke ndjekur penalisht figura për të cilat shumica e amerikanëve nuk kanë dëgjuar asnjëherë më parë.

Si udhëheqës i Zyrës së Prokurorit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, Smith, 53 vjeç, duhej ta ndërtonte një proces të shkallëzueshëm — dhe të vendoste se kur ta flakë mënjanë dhe të improvizojë. Smith  i inatosi disa aleatë të Trump, edhe pse mund t’i ketë shpëtuar presidentit të atëhershëm nga një siklet. Dhe i mbijetoi një tragjedie të pazakontë: të vendoste nëse do të padiste Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, atëbotë një kryetar shteti popullor i cili kishte mbështetjen e SHBA.

“Ky nuk është vendimi më i lehtë në botë për t’u marrë. Vërtet duhet të kesh besim te vetja”, tha David Schwendiman, paraardhësi i Smith në rolin e Kosovës. “Duhet të jeni mjaftueshëm të guximshëm për të marrë një vendim të tillë”.

Një çështje e vështirë për t’u marrë

Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara të Kosovës u themelua në vitin 2016 pasi zyrtarët e Bashkimit Evropian kaluan vite duke hetuar pretendimet se udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin kryer krime lufte në kohën kur kjo e funsit luftonte për pavarësi në vitet 1990 në ish-Jugosllavi.

Nën presionin e Shteteve të Bashkuara, aleat kyç i Kosovës, si dhe i BE-së, qeveria e Kosovës u pajtua ta miratojë një ligj dhe një amendament kushtetues përmes së cilit njihej autoriteti i zyrës së pavarur, e cila do të kishte personel ndërkombëtar.

Detyra e zyrës ishte sfiduese: të zhvillonte prova të krimeve të dyshuara të luftës që ishin dy dekada të vjetra, përtej kufijve ndërkombëtarë, nga dëshmitarët që përballeshin me kërcënime të rëndësishme politike dhe madje fizike, për figurat kryesore politike në republikën e re.

Schwendiman e krahasoi atë me ndjekjen penale të ekuivalentit të Kosovës të Benjamin Franklin dhe Alexander Hamilton. “Nëse i akuzoni këta njerëz, ju po thoni, ‘Baballarët themelues të Kosovës kanë kryer mizori dhe unë jam i gatshëm ta vërtetoj këtë, në një gjykatë të pavarur, me gjyqtarë të pavarur dhe rregulla që vlejnë për të gjithë’.

Ajo punë erdhi me presione të rëndësishme nga jashtë. Disa zyrtarë donin vendime të shpejta për akuza, ndërsa të tjerë bënin presion të madh për të kundërtën, duke dashur që thjesht të flaknin tutje hetimin, kujton Schwendiman. Rrymat politike u ndërlikuan edhe më shumë nga përpjekjet diplomatike për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Serbia nuk e njohu asnjëherë pavarësinë e Kosovës pasi kjo e fundit u shkëput me ndihmën e NATO-s në vitin 1999. Administrata Trump shpresonte të ndërmjetësonte marrëdhënie më të mira mes dy vendeve ballkanike.

Në kohën kur Schwendiman dha dorëheqje në vitin 2018, zyrat e specializuara kishin deklaruar zyrtarisht se kishte prova të mjaftueshme për ta mbështetur krijimin e një gjykate penale, por nuk kishte vendosur ende nëse ndonjë zyrtar duhet të përballet me akuza. Ai u tha të tjerëve në atë kohë se shpresonte se pasardhësi i tij, që do të zgjidhej nga zyrtarët në BE, do të ishte dikush si Smith, i cili kishte një reputacion për pavarësi dhe përvojë të rrallë që u bashkua me udhëheqjen e Seksionit të Integritetit Publik të Departamentit të Drejtësisë dhe punën e mëparshme në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

“Ishte modeli të cilin po e kërkoja”, tha Schwendiman.

Akuzat për krime lufte kundër Hashim Thaçit, ish-komandant shqiptar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qarkullonin prej vitesh. Zgjidhja e tyre ishte arsyeja kryesore për krijimin e prokurorisë. Në qershor të vitit 2020, zyra e Smith zbuloi se kishte vendosur ta ngriste një aktakuzë ndaj presidentit në detyrë, duke njoftuar se i kishte kërkuar gjykatës të konfirmonte një aktakuzë prej 10 pikash që përfshinte gati 100 vrasje dhe tortura të qindra viktimave të njohura.

Koha e shpalljes ishte e pazakonshme. Sipas rregullave të gjykatës, prokurorët duhej të ngrinin aktakuza të vulosura te një gjyqtar, të cilit më pas do t’i duheshin gjashtë muaj për të vendosur nëse akuzat ishin të drejta dhe nëse duheshin bërë publike. Aktakuza e vulosur e Thaçit, megjithatë, ishte vetëm dy muaj e vjetër.

Në një deklaratë me shkrim në atë kohë, zyra e Smith tha se aktakuza ishte shpallur herët për shkak të “përpjekjeve të përsëritura” të Thaçit dhe të tjerëve “për ta penguar dhe minuar punën” e zyrës së prokurorit, duke kërcënuar potencialisht qëndrueshmërinë e çështjes. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, ish-kryetar i parlamentit të Kosovës, “besohet se kanë kryer një fushatë të fshehtë për ta përmbysur ligjin për themelimin e Gjykatës dhe përndryshe e pengojnë punën e Gjykatës në përpjekje për të siguruar që ata të mos përballen me drejtësinë”, thuhet në deklaratë.

Edhe kur u publikua, Thaçi u nis për në Uashington për t’u takuar me Presidentin e atëhershëm Trump – bisedime që disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë shpresonin se mund të prodhonin marrëveshje të reja tregtare që përfshinin Ballkanin dhe ta rrisnin reputacionin e Trump si një negociator i mprehtë përpara zgjedhjeve të 2020. Trump kishte investuar kapital të konsiderueshëm personal në përpjekjet për të ndërmjetësuar lidhje më të mira midis Serbisë dhe Kosovës, duke i thënë Thaçit dhe homologut të tij serb në vitin 2018 se një marrëveshje ishte “në dorë” dhe duke premtuar se do t’i priste të dy burrat në Shtëpinë e Bardhë për të festuar nëse mund të arrijnë deri tek një “marrëveshje historike”.

Kur Thaçi mësoi se prokurorët po kërkonin për ngritjen e aktakuzës ndaj tij, ai anuloi vizitën dhe u kthye në shtëpi. Më vonë dha dorëheqjen. Ai është deklaruar i pafajshëm dhe është planifikuar të përballet me gjyqin këtë vit.

Duke shkruar në platformën e tij të mediave sociale “Truth Social” këtë muaj, Trump e akuzoi Smithin se kishte futur në burg “një zyrtar të lartë qeveritar sepse ai ishte një person pozitiv ndaj Trump” në kohën kur vepronte si prokuror në Evropë – një referencë e dukshme për Thaçin.

Një zëdhënës i Prokurorit të Specializuar të Kosovës nuk pranoi ta komentojë pretendimin e Donald Trump.

Dokumentet nga gjykata e Kosovës tregojnë se zyra e Smith ka kërkuar leje nga kryetari i trupit gjykues përpara se ta bëjë publike aktakuzën, duke paraqitur një kërkesë urgjente për t’i bërë publike akuzat. Brenda një dite, gjykatësi vendosi se publikimi ishte “i garantuar në një bazë të jashtëzakonshme”.

Një person i njohur me vendimin e prokurorëve, i cili foli në kushte anonimiteti për ta diskutuar një çështje të ndjeshme, tha se samiti i afërt midis Trump dhe Thaçit nuk luajti asnjë rol në vendimin për të kërkuar leje për ta publikuar aktakuzën. Ky person tha se prokurorët nuk kishin mundësi ta dinin se gjyqtari do të vendoste çështjen në më pak se një ditë – duke e nënvlerësuar nocionin se minutazhi  kishte për qëllim ta prishte takimin.

Rrjedhje dhe pengesa

Një rast i veçantë nga koha e Smith në Kosovë gjithashtu ngre paralele interesante potenciale me hetimet e lidhura me Trump.

Si prokuror për krime lufte, Smith kishte akuzuar, gjykuar dhe dënuar dy përkrahës të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për shpërndarjen e dosjeve të vjedhura nga zyra e tij.

Disa muaj pas shpalljes së aktakuzës ndaj Thaçit, udhëheqësit e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u ofruan gazetarëve informacione për të pandehur të mundshëm në rastet e krimeve të luftës, teori kriminale të hetimeve dhe detaje rreth dëshmitarëve të ndjeshëm. Ata thanë se e kishin marrë materialin në mënyrë anonime dhe u kërkuan gazetarëve në tri konferenca të veçanta shtypi, të publikonin disa nga informacionet.

Personat e lartcekur u dënuan për pengim, frikësim gjatë procedimit penal dhe shkelje të fshehtësisë së procedimit. Ndërkohë që ata u dënuan me më shumë se katër vjet burg për shpërndarjen e dosjeve, askush nuk u akuzua asnjëherë pse u kishte ofruar atyre informacionin dhe askush nuk ka marrë përgjegjësinë për të.

Ligji amerikan në përgjithësi nuk është zbatuar në të njëjtën mënyrë për njerëzit që i marrin dhe i ndajnë sekretet qeveritare, por avokatët e Trump tashmë janë ankuar vazhdimisht për atë që ata thonë se janë rrjedhje të pahijshme nga qeveria të detajeve të hetimeve rreth ish-presidentit.

Aleatët republikanë të Trump – duke përfshirë shumë prej tyre që janë fokusuar prej kohësh në rrjedhjet e supozuara për ta akuzuar Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në për keqbërje – u kanë bërë jehonë shqetësimeve të shprehura nga avokatët e tij dhe kanë themeluar një nënkomision të Dhomës së Përfaqësuesve të autorizuar për t’i hetuar ata që e hetojnë ish-presidentin.

Disa mbështetës të Trump e kanë shfrytëzuar aktivitetin me temë politike të gruas së Smith, Katy Chevigny, në përpjekje për ta ulur besueshmërinë e prokurorit. Në postimin e tij në “Truth Social” këtë muaj, Trump e quajti Smithin “një bandit që e urren Trump-in, gruaja e të cilit është një urrejtëse e hapur e Trumpit”.

Chevigny, një regjisor dokumentarësh, në vitin 1997 themeloi Big Mouth Productions, një kompani prodhimi dokumentarësh, sipas faqes së saj të internetit. Chevigny dhuroi 1000 dollarë për fushatën presidenciale të Bidenit në shtator të vitit 2020 ndërkohë që po e sfidonte Trump për Shtëpinë e Bardhë, tregojnë të dhënat e financimit të fushatës.

Ajo ishte regjisore e “Becoming”, dokumentari i vitit 2020 që shoqëroi publikimin e autobiografisë së ish-zonjës së parë Michelle Obama; Michelle dhe Barack Obama shërbyen si regjisorë në projekt. Projekte të tjera të Chevigny kanë prekur gjithashtu tema politike, duke përfshirë “Dark Money” të vitit 2018, i cili eksploroi rolin e parasë në politikën amerikane dhe “Dita e Zgjedhjeve”, një dokumentar i vitit 2007 të cilin ajo e drejtoi duke e përshkruar përvojën e votuesve anembanë vendit.

Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë nuk pranoi të komentojë. Agjencia nuk ka rregulla që do ta ndalonin aktivitetin politik dhe donacionet nga bashkëshortja e një prokurori, mirëpo Trump ka një histori që shfrytëzon shenja të aktivitetit politik në familjet e hetuesve të tij për ta minuar punën e tyre. Ai u ankua për vite me radhë, për shembull, se gruaja e ish-zëvendësdrejtorit të FBI-së, Andreë McCabe, kishte kandiduar për Senatin e shtetit në Virxhinia si demokrate, duke marrë qindra mijëra dollarë donacione për fushatën nga subjektet e kontrolluara nga guvernatori Terry McAuliffe (D), një aleate e kundërshtares së Trump në vitin 2016, Hillary Clinton.

Trump e kritikoi gjithashtu sfondin politik të disa prej atyre të emëruar në ekipin e këshilltarit special Robert S. Mueller III, i cili e hetoi presidentin nga viti 2017 deri në 2019. Të paktën shtatë nga 15 avokatët e punësuar fillimisht nga Mueller kishin dhënë donacion për kandidatët politikë demokratë, pesë prej tyre për Clinton, një analizë e Washington Post e gjetur në 2017.

Politikat e Departamentit të Drejtësisë dhe ligji federal e ndalojnë diskriminimin në bazë të përkatësisë politike në punësimin për poste jopolitike, të cilat departamenti i citon ndonjëherë për ta konfirmuar se është i penguar në marrjen në konsideratë të përkatësive politike të të punësuarve të tij, aq më pak ato të bashkëshortëve të tyre.

Megjithatë, Garlandit nuk i kërkohej me rregullore apo ligj që ta caktonte një avokat special. Ai tha se e bëri këtë sepse arriti në përfundimin se emërimi ishte “gjëja e duhur për t’u bërë”, duke pasur parasysh se Trump e shpalli ofertën e tij presidenciale në vitin 2024 dhe Biden, gjithashtu, ka treguar se ka në plan të rikandidojë.

Kelly Currie, ish-prokuror federal koleg i Smith, tha se Smith nuk do ta kishte pranuar rolin pa qenë në dijeni të shqyrtimit intensiv që do të vinte me të.

“Ai është lloji i personit që nuk do ta hamendësohet në një telefonatë bazuar në atë që një ekspert do të shkruajë ose thotë në TV”, tha Currie./The Washington Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *