
Rrëmbimi i tre policëve brenda territorit të Kosovës ka ngjallur reagimin e ashpër të zyrtarëve vendorë, gjersa të martën kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla kanë shpalosur detaje të rastit pasi ambasadori i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, ka takuar këtë të martë tre policët e rrëmbyer nga forcat serbe.
Kurti në një konferencë për media bëri të ambasadori Jashari ka takuar ndaras të tre policët, të cilët rrëfimin për ngjarjen e kanë pasur të njëjtë.
Kryeministri ka bërë të ditur se policët se në momentin e rrëmbimit kanë qenë duke ngrënë drekë, kur 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar dhe i kanë rrëmbyer.
“Që të tre e thonë rrëfimin e njëjtë kur pyeten ndaras nga ambasadori ynë”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë.
“Ne jemi në të drejtën tonë dhe dëshmitë që posedojmë dokumentojnë qartë se policët ishin brenda territorit të Kosovës kur u rrëmbyen. Nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi, por rrëmbim në Kosovë. Policët ishin në nivel detyre, në luftim të kontrabandës. Ata që pretendojnë se policët janë arrestuar në Serbi duhet ta shpjegojnë se si lidhëset e tyre të plastikës si pranga janë gjetur një kilometër larg kufirit në pjesën veri-perëndimore, 670 metra larg në veri-lindje nga kufiri me Serbinë”, ka deklaruar Kurti.