
“Të gjithë golat ikonik të Real Madridit kaluan nga këmbët e Daniel Carvajal” – kështu thuhet nga tifozët e Real Madridit.
I njohur ndryshe nga vetë bashkëlojtarët e tij me emrin përkëdhelës “Pitbull”, pasi Carvajal është ai lloj i lojtarit që për 90 minuta nuk ndalet së vrapuari dhe efekti i tij në lojën e Real Madridit është mëse i vërejtur.
“Njeriu i asistimeve vendimtare”… Disa nga golat ikonik të Real Madridit kanë kaluar nëpër këmbët e spanjollit 32-vjeçar, i cili gjatë këtij sezoni po duket i rilindur, duke treguar paraqitje mjaft të mira në secilën ndeshje që ka luajtur.
Kur flasim për “golat ikonik”, atëherë patjetër që goli i Cristiano Ronaldo ndaj Juventus më 2018 është njëri ndër ta.
Tjetër gol që Carvajal ishte personi që gjeti njeriun e duhur në zonë, është ai i Rodrygos në ndeshjen ndaj Manchester City në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve në sezonin 2021/22.
Një gol tjetër që ishte kryekëput falë mjeshtërisë së Carvajal është ai i Gareth Bale ndaj Borussia Dortmund në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Ronaldo përsëri ishte golashënuesi e Carvajal po ashtu ishte asistues. Ishte finalja e Ligës së Kampionëve në vitin 2017, Real Madridi sfidohej nga Juventusi. Ronaldo shënon golin e parë të ndeshjes, i cili asistohet lehtësisht nga Carvajal.
https://www.youtube.com/watch?v=XrKBZS-IWoQAsist jo, por gol vendimtar, Carvajal shënonte ndaj Sevillas në finalen e Superkupës së UEFA-s në vitin 2017. Carvajal shënonte në minutat e fundit të vazhdimeve, duke i sjellur trofeun e Superkupës për Real Madridin.
Le të shfletojmë pak historinë e Dani Carvajal dhe karrierën e tij të bujshme.
I lindur në Leganes të Spanjës më 1992, Carvajal u rrit në akademinë e Real Madridit. Që nga fëmijëria e hershme, mbrojtësi i djathtë ishte pjesë e “La Fabrica”.
Ai bëri vetëm një paraqitje me klubin në periudhën e tij të parë në klubin madrilen, para se të nënshkruante me Bayer Leverkusenin.
Vetëm një sezon në Gjermani mjaftoi që “Los Blancos” të rikthejnë “pitbullin spanjoll” në ekip, i cili tashmë po premtonte se ishte një shtyllë kryesore e mbrotjtjes madrilene për të ardhmen dhe që doli të ishte e saktë.
Në periudhën e tij të dytë, Carvajal është pjesë e formacionit bazë të Real Madridit që afër 11 vjet, madje duke qenë një nga më të mirët në botë, mos qoftë edhe më i miri.
Paraqitjet e tij mbresëlënëse betonuan vendin e tij në formacionin startues të çdo trajneri që ishte në krye te “Mbretërit”.
Mirëpo, ai vend sezonin e kaluar dhe atë parapak iu lëkund paksa, pasi Carvajal nuk po mund t’i bënte ballë lëndimeve, përmendur këtu edhe një problem në zemër që e kishte, por që e la anash si një luftëtar i vërtetë edhe jashte fushe.
“Po haja shumë mirë dhe asgjë nuk po ndryshonte. Lëndimet për mua ishin si një tunel që nuk kishte dalje. Andaj vendosa të pyes një nutricionist, i cili më këshilloi të lë ushqimet me gluten. Çuditërisht, nga ajo kohë nuk kam pësuar asnjë lëndim.” – kishte thënë Carvajal në një intervistë për Tribuna.
Dani Carvajal këtë sezon me Real Madridin ka 20 ndeshje të luajtura, në të cilat ka shënuar 3 gola dhe ka dhuruar 3 asistime.
Me klubin nga kryeqyteti spanjoll, “Dani” ka fituar 23 trofe, ndër to tri herë LaLigan e pesë herë Ligën e Kampionëve.
Carvajal ka fituar trofe edhe me Spanjën, Ligën e Kombeve të edicionit 2022/23.
Ndonëse 32-vjeçar, Real Madridi nuk po mendon zëvendësimin e tij, pasi Carvajal po konfirmon se ende ka ca shkëndija të atij të vjetrit.
Së fundmi, “Carva” shënoi në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës ndaj Atetico Madrid, duke nisur një rikthim, rikthim që vetëm Real Madridi di ta bëj…