
Në debatin mes kandidatëve për kryetar të Deçanit, Shkumbin Demalija dhe Faton Selmanaj, tema kryesore ishte furnizimi me ujë dhe menaxhimi i resurseve ujore në komunë.
Demalija akuzoi Selmanajn se gjatë fushatës së kaluar kishte premtuar se do të padiste kompaninë rajonale të ujësjellësit “Hidrodrini” për shkak të punës së dobët, por sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë.
“Votat herën e kaluar në fshatin tim i ka kërku duke thënë se unë kam me e paditë ‘Hidrodrinin’ për shkak të punës së keqe dhe kjo nuk ka ndodhur kurrë”, deklaroi Demalija.
Nga ana tjetër, Selmanaj tha se për 22 vite banorët nuk kanë pasur zgjidhje të qëndrueshme për furnizim me ujë, duke theksuar se vetëm një pjesë e vogël është përfituese nga burimet aktuale.
“Që 22 vite, z. Demalija, nuk ju ka ba zgjidhje se si furnizohen. Nuk po gënjejë, nuk furnizohen veç komshinjtë, por një pjesë e madhe e fshatit përmes këtij burimi. Ndërsa unë do ta bëj një zgjidhje të përhershme. Sa i përket përkrahjes, unë jam i pari në fshatin e Demalijajt”, tha Selmanaj. /Gazeta10