
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se inati i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci nuk po lejon që të gjendet një zgjidhje për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës. Sipas tij, edhe këtë të shtunë nuk do të ketë mësim, raporton Gazeta10.
Jasharaj, u shpreh se kanë pritur nga ministrja Nagavci t’i ftojë në takim gjatë kësaj jave për të gjetur një zgjidhje, por nuk kanë marrë ftesë. Ai e cilësoi të dështuar mbajtjen e mësimit në disa shkolla të shtunën e kaluar duke thënë se 70% e institucioneve arsimore i janë përgjigjur thirrjet sindikale.
“Të shtunën e kaluar, raportet flasin se edhe pse 70 për qind e institucioneve arsimore e kanë respektuar nenin 34, ka pasur institucione arsimore që kanë shprehur një lloj gatishmërie për të punuar, por e shtuna e kaluar jo vetëm ne, por edhe prindërit e kanë vlerësuar si të dështuar, ngase ka pasur një mungesë të jashtëzakonshme të nxënësve. Prandaj Nagavci edhe nëse dëshiron ta vazhdojë inatin dhe luftën ndaj SBAShK-ut do të ishte mirë që së paku me Këshillin e Prindërve të ulët dhe të bisedojë… E kisha lut Nagavcin që t’i lejë inatet e tekat, greva më në fund u pezullua, ne jemi në proces mësimor dhe është e udhës në përgjithësi për ta stabilizuar në përgjithësi këtë sistem mësimor.”, tha Jasharaj.
Jasharaj, tha se nëse zëvendësimi i orëve do t’ju ishte lënë mësimdhënësve, atëherë do të bëhej e pamundura që të realizohej planiprogrami i këtij viti shkollor, mirëpo sipas tij, qasja e Nagavcit përmes urdhrave e kërcënimeve ka irrituar edhe më shumë ata.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në fillim të këtij muaji ka thënë se me vendimin e MASHT-it, do të ndryshohet kalendari i vitit shkollor 2022-2023, për shkak të 22 ditëve të pambajtura të mësimit gjatë muajit shtator 2022 si pasojë e grevës së mësimdhënësve.
Me ndryshimin e kalendarit, MAShTI i obligoi mësimdhënësit të kompensojnë orët e humbura gjatë të shtunave deri në janar 2023.
Ditë më parë edhe Gazeta10 raportoi se si vendimi i MAShTI-t për zëvendësim të orëve të shtunën e kaluar nuk është respektuar./Gazeta10