
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Opozita ka kërkuar nga ekzekutivi që para takimit të 2 majit të bëjë fillimisht vlerësimin e kushtetutshmërisë të draft-statutit për Asociacionin. PDK dhe LDK po konsiderojnë se me dakordimin në Ohër, kryeministri Albin Kurti ka shkelur çdo vijë të kuqe. Mirëpo, nga partia e tij, thonë së Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe që nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Të martën pritet që edhe zyrtarisht, të propozohet draft-statuti për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, në takimin që do të zhvillohet në Bruksel mes Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiqit.
Por, kjo ka ngritur shqetësime tek partitë opozitare, nëse ky dokument është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës apo jo.
Për ta hequr çdo dilemë, PDK e LDK, kanë kërkuar nga ekzekutivi që draft-statuti i Asociacionit, të dërgohet fillimisht për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
Në takimin e 2 majit, sipas deputetit të partisë më të madhe opozitare, Hisen Berisha, Serbia do të ketë rolin kërkues, derisa Kosova vetëm do ta zbatojë.
Derisa deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, thotë se ka frikë nga Kurti se çka mund t’i sjellë Kosovës në raport me Serbinë nga takimi i radhës.
Sipas tij, nuk do të ketë asgjë pozitive nga takimi i Brukseli, ngase Kurti ka shkelur çdo vijë të kuqe.
Megjithatë, shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari – Lila, thekson se Asociacioni do të bëhet vetëm në pajtim me vendimin e Kushtetueses të vitit 2015.
Por, njohësi i procesit të dialogut, Seb Bytyçi, thotë se në takim do të diskutohet për Asociacionin, mirëpo nuk do të ketë draft-statut, pasi sipas tij është akoma herët.
Të shtunën, është publikuar agjenda e takimit mes Kurtit dhe Vuçiq në Bruksel, kudy prej pikave më kritike, personat e pagjetur dhe draft-statutin e Asociacionit.
Fillimisht takimet e ndërmjetësuesve evropian do të zhvillohen ndaras, ndërsa takimi i përbashkët i liderëve me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak, do të zhvillohet me fillim në ora 18:00. /Gazeta10