
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav ka zhvilluar takime të ndara me Kryeministrin Albin Kurti dhe tre liderët opozitarë.
Ambasadori Orav ka thënë se kanë diskutuar për hapat e ardhshëm pas zgjedhjeve.
“Mbajta takime të veçanta me Albin Kurtin, Memli Krasniqin, Lumir Abdixikun dhe Ramush Haradinajn për të diskutuar hapat e ardhshëm pas zgjedhjeve”, shkroi fillimisht Orav në “X”.
Tutje në postimin e bërë ai tha se shumica dërmuese në Kosovë aspirojnë anëtarësimin në BE dhe se qeveria e re duhet të ndjekë reformat për ta realizuar këtë.
“Vura në dukje se shumica dërrmuese e njerëzve në Kosovë aspirojnë të anëtarësohen në BE. Qeveria e re duhet të ndjekë në mënyrë aktive reformat për ta realizuar këtë”, tha Orav.