
Presidentja Vjosa Osmani e ka takuar ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias i cili po ndodhet në një vizitë zyrtare për herë të gjashtë në Kosovë, raporton Gazeta10.
Osmani pas takimit përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se me kryediplomatin grek biseduan për bashkëpunimin dypalësh, dialogun me Serbinë e për zhvillimet e fundit në rajon.
“Mirëprita sot ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, në vizitën e tij të gjashtë në Republikën e Kosovës. Diskutuam për përkushtimin tonë të përbashkët për ta forcuar bashkëpunimin dypalësh në mes të Kosovës dhe Greqisë, për procesin e dialogut me Serbinë, si dhe për zhvillimet e fundit në rajon.”, ka shkruar Osmani.
Presidentja ka përfunduar shkrimin e saj duke thënë se Kosova vazhdon të jetë e angazhuar për paqe afatgjate në rajon, forcim të demokracisë dhe integrim të plotë në institucionet euroatlantike.
Kryediplomati grek sot do pritet në takim edhe nga ministrja e Jashmte, Donika Gërvalla dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti./Gazeta10