
Parisi po zgjat një shtetrrethim të pjesshëm që kufizon lëvizjen në disa pjesë të qytetit deri të hënën, ndërsa Marseja dhe Lioni kanë vendosur një ndalim të plotë të protestave për këtë fundjavë, ka raportuar BBC.
Muzeu i Luvrit, ai d’Orsay dhe muzeu Picasso në kryeqytetin francez do të jenë gjithashtu të mbyllura të shtunën, pasi priten demonstrata të mëtejshme.
Franca është ende duke u përballur me pasojat e trazirave të mëdha të fundjavës së kaluar, kur protestat masive kundër kostos së lartë të jetesës dhe kushteve në shkolla u errësuan nga trazirat dhe plaçkitjet, gjatë të cilave u shkatërruan biznese dhe ndërtesa historike.
Presidenti Emmanuel Macron deklaroi se, në pjesë të tjera të vendit ku protestat nuk janë ndaluar plotësisht, të shtunën do të lejohen vetëm demonstratat e sindikatave që janë të autorizuara.
Ministri i Brendshëm, Jean-Didier Berger, njoftoi se prania e policisë do të shtohet me 20% krahasuar me fundjavën e kaluar, pasi qeveria u akuzua se u gjet e papërgatitur përballë përmasave të trazirave.
Ministri francez i Drejtësisë bëri të ditur të enjten se 217 persona janë burgosur në lidhje me trazirat e fundjavës së kaluar, pasi janë dënuar përmes procedurave gjyqësore të përshpejtuara; ky numër pritet të rritet.
Gérald Darmanin deklaroi se 2,700 persona janë arrestuar në mbarë Francën dhe më shumë se 1,000 prej tyre kanë dalë tashmë para gjykatës.
Sipas gazetës “Le Figaro”, ai theksoi se gjysma e personave të ndaluar nuk kishin precedentë të mëparshëm penalë./GE