
Raporti: Arbenita Ilazi
Dy partitë në pushtet, LDK e PDK kanë kritikuar qeverisjen dyvjeçare të kryeministrit Albin Kurti. Ikja e profesionistëve shëndetësor, inflacioni, ndërprerja e investimeve kapitale ishin disa nga kritikat dhe dështimet që përmendën këto dy të fundit. Derisa thanë se gjatë këtyre dy viteve nuk ka pasur përmirësim në ndonjë sektorë.
Ikja e profesionistëve shëndetësor, inflacioni shumë i lartë e ndërprerja e investimeve kapitale, janë disa nga dështimet që i përmendin Partia Demokratike e Kosovës e Lidhja Demokratike e Kosovës për Qeverinë Kurti.
PDK e LDK thonë se për këto dy vite ka pasur degradim e moszhvillim ekonomik, teksa përmendin inflacionin e lartë e shtrenjtimin e energjisë elektrike si pasojë e “keqqeverisjes”.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, thotë se për këto dy vite të Qeverisë Kurti, nuk ka përmirësim të ndonjë sektori.
Ai thotë se shëndetësia është në gjendje të rëndë, si për mungesë të barnave e listës së gjatë të pritjes.
Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë se Kosova për këto dy vite ka stagnuar në shumë sfera. Ajo përmend dështimin për të siguruar njohje të reja, inflacionin e shtrenjtimin e energjisë elektrike e të produkteve bazë.
Tre ditë më parë kryeministri Albin Kurti ka shënuar dy vjetorin e qeverisjes. Ai gjatë mbledhjes së ekzekutivit ka lavdëruar vetën dhe kabinetin e tij qeveritar, për siç ka thënë ai, arritje të rezultateve në shumë fusha. Për këto dy vite, Kurti kishte thënë se buxhetit të shtetit i janë shtuar mbi 700 milionë euro, krejt si rezultat i qeverisjes së mirë.