
Të hënën në “Politiko” me Kushtrim Sadikun është diskutuar për deklarimet dhe përplasjet e fundit në mes të opozitës dhe pozitës, raportin e progresit, si dhe vizitën e komisioneres evropiane, Ursula Von der Leyen në Kosovë. Të ftuar kanë qenë komentatorët politikë Halil Matoshi, Krenar Shala, Shqipe Pantina, Blerim Gashi dhe Adrian Çollaku.
Analisti politik dhe njëherësh gazetari, Halil Matoshi ka thënë se shteti i Kosovës nuk është duke funksionuar, pasi sipas tij, ikja e shumicës parlamentare nga përgjegjësia shtetërore është sabotim ndaj shtetit.
“Kosova është shtet parlamentar dhe shteti realisht nuk është duke funksionu sepse Kosova duke qenë që është shtet parlamentar, kuvendi është pushteti i parë dhe ikja nga përgjegjësia shtetërore e shumicës paralementare është sabotim ndaj shtetit, kjo është ligj”, ka thënë Matoshi.
Matoshi ka theksuar se Kosova po jeton në një situatë jonormale, ngaqë sipas tij, kuvendi nuk është duke funksionuar.
Nga ana tjetër, analisti politik Blerim Gashi, mungesën e mazhorancës në kuvend e ka quajtur si vendim të gabuar dhe joproduktiv.
Ndërkaq për “zhurmën” e opozitës, Gashi ka thënë se ky hov i opozitës për të gjetur gabime po ndodh pikërisht për shkak që Kosova ndodhet në prag të zgjedhjeve.
“Po afrohemi shumë afër kampanjës zyrtare edhe normal që ky hovi politik i opozitës me gjet gjithçka zi e keq e terr, e s’po marohet ura në Saradran, s’po investohet është normale”, tha Gashi.
“Jo ura në Saradran është maru”, e ndërpreu Matoshi.
“Po vjen Ursula po ia bon bajat, dul mr.Dulla tha kena ra në batak të ekonomisë, dul presidentja e Komisionit Evropian tha zhvillim impresiv ekonomik”, tha Gashi.
Me këtë deklaratë nuk u pajtua gazetari Matoshi, i cili tha se komisionerja evropiane nuk e ka pasur fjalën për këtë qeveri, por për njëzet vjet.
“Absolutisht manipulim. As edhe një minutë tutje s’të la me shku”, tha Matoshi.
Një kundërpërgjigje të njëjtë e pati edhe komentatorja politike njëherësh edhe anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Pantina, e cila tha se Gashi po bën si “populist”, duke e marrë një gjysmë të vërtetë.
“Opozita është bërë më e gjallë dhe mendoj se edhe më efektive në veprimet e saj opozitare. Nuk është krejt i gabuar, Gashi e din çka po thotë por nuk është e vërtetë ajo që po e thotë. Gashi po e përdor tipik atë se çka bëjnë populistat, e marrin një gjysmë të vërtetë. Ursula ka thanë se ka progres, por proges i bërë në këto njëzetë vitet e fundit”, ka thënë ajo.
Tutje, gazetari dhe njëherësh analisti politik, Adrian Çollaku ka thënë se nuk ka qenë opozita ajo e cila e ka dëmtuar Kurtin, porse ai e ka dëmtuar vetveten, ngaqë sipas tij, kryeministri nuk i ka mbajtur premtimet e dhëna, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Në ditët e para kur është bërë Qeveria Kurti personalisht kam menduar që nuk është opozita ajo që do ta sfidojë. Është vetë z.Kurti ai që e ka dëmtu Kurtin”, ka thënë Çollaku.
Sipas tij, votuesit e Kurtit tashmë e dijnë se ai ka mashtruar, ndërsa ka theksuar se premtimet e tij tashmë po i hakmerren.
Megjithatë me një deklarim të tillë nuk është pajtuar analisti politik, Krenar Shala, i cili ka thënë se kryeministri Kurti nuk mund të dëmtohet në vota, pavarësisht kritikave të opozitës, pasi sipas tij, njerëzit nuk janë zhgënjyer nga qeveria Kurti.
“Pritjet e njerëzve nuk kanë qenë që z.Kurti të bëjë të pamundurën”, ka thënë Shala.
“Hajnat në burg”, i është kundërpërgjigjur analisti politik Adrian Çollaku.
Shala ka përsëritur që njerëzit kanë pritur dhe janë gëzuar që Kurti e ka larguar opozitën nga pushteti dhe ka treguar dinjitet ndaj Serbisë.
“Edhe e ka bo Asociacionin”, i është kundërpërgjigjur Çollaku.
Shala me ironi ka thënë “vetëm te bylbylat e qeverisë ka pakënaqësi”.
Tutje, debati ka vazhduar mes të Matoshit dhe Gashit, të cilët teksa diskutohej për raportin e progresit nuk janë kursyer me kritika për njëri-tjetrin.
Ka qenë analisti politik, Blerim Gashi, i cili ka thënë se u ka rënë ndikimi raporteve të progresit, porse jo edhe rëndësia.
Sipas tij, ka mospërputhje mes këtij raporti dhe deklarimeve që po japin komisionerët evropianë gjatë vizitave në Kosovë dhe rajon.
“Në raport të progresit, po del zi e terr në shumë pika, ngecje e të tjera…. Knena shkon Von der Leyen thotë e përgëzojmë zotin Vuçiq edhe këtu është qajo diskrepanca që po del shumë e dobët edhe shumë e paaftë”, ka thënë Gashi.
Megjithatë, ai u kundërshtua nga Matoshi.
“Zoti Gashi, a u livdu edhe zoti Vuçiq? A është qaj fashisti juaj që po e lavdëron Von der Leyn edhe O’Brien”, ka pyetur Matoshi, teksa ka thënë se lavdërimet për të dyja palët lidhen pikërisht me qëllim që BE të krijojë lidhje më të mira me të dyja palët.
Ndërkaq Gashi është kundërpërgjigjur se komisionerja evropiane e ka lavdëruar ekonominë e Kosovës dhe se këtë e dëshmojnë edhe shifrat e Bankës Botërore.
“1.6% është papunësia sipas shifrave të Bankës Botërore”, ka thënë Gashi.
“E pavërtetë”, ka reaguar Matoshi, i cili e ka quajtur mashtrim.
Tutje, Matoshi ka theksuar se nuk u beson ekspertëve të Bankës Botërore, por atyre në Kosovë, teksa pretendimet e Gashit i ka quajtur “manipulim Albinqe”.
Në ndërkohë, komentatorja Pantina ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë ndonjë projekt për zhvillim ekonomik, por as edhe në arsim, çka sipas saj, qeveria ka dështuar në këto fusha.
Por qe Çollaku ai i cili e “sfidoi” Pantinën me një pyetje për veriun.
“Pse opozita ka frikë të shtyhet me Kurtin për veriun?”, ka pyetur Çollaku.
“Kjo është diçka tjetër. Gjatë fushatës bile veriu nuk përmendet”, u përgjigj Pantina, teksa vazhdoi debati mes tyre.
Tutje, debat u zhvillua edhe për pikat e forta të opozitës në raport me Kurtin, ku u dhanë këndvështrime të ndryshme.
“Pika e forte e zotit Haradinaj është që në situata të caktuara kur kemi të bëjmë me interesin kombltar ka atë që quhet arsyeshmëria e shtetit, e ka atë që mund të tejkalojë akronimet partiake. Te Abdixhiku i shoh gjysmë pika të forta, një prej tyre orientimi progamor edhe me nevoja me fokusu në mënyrë sektoriale partinë dhe qeverisjen. Pikën më të forte të zotit Hamza e shoh përvojën e tij në rregullim dhe menaxhim financiar, po prapë është gjysmë pikë”, ka thënë Gashi.
Një mendim tjetër e ka ndarë analisti Shala, i cili ka thënë se opozita nuk ka kurrfarë pike të forte.
Nga ana tjetër, analisti dhe gazetari Çollaku ka thënë se vendi ka nevojë për dike që e stabilizon ekonominë, e që sipas tij, ky mund të jetë kandidati i PDK-së, Bedri Hamza, ndërsa ndau opinionin e tij edhe për partitë e tjera.
“Abdixhiku edhe ky është një ekonomist po tash e ka testin jetik ky. Haradinaj ka qenë i vetmi prej tri partive që nuk e ka pritur ambasadën, por ka dalë ka fol..”, ka thënë Çollaku.
Ndërkaq, Pantina ka thënë se LDK tashmë është e gatshme të qeverisë vendin.
“LDK është e gatshme të qeverisë vendin. Zotri Hamza mendoj që e ka përvojën për të qeverisur, por mangësia është që nuk ka bo ende program”, ka komentuar Pantina.
Nga ana tjetër, Matoshi ka thënë se zgjedhjet duhet t’i fitojë ai kandidat që krijon normalitet.
“Zoti Haradinaj është pushteti në kuptimin e plotë të fjalës. Ai është njeri i sigurt i Kosovës. Abdixhiku e ka një strukture të shëndetshme. Zotri Hamza është nikoqir i mirë i kacës së shtetit. E ka përvojën, por nuk e ka partinë”, ka thënë Matoshi.
Ndryshe, më 9 shkurt të vitit 2025 Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.
Në fund të majit dështoi një nismë e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në zgjedhjet të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit
Ky opsion u kundërshtua nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkuan që Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti të japë dorëheqje apo të shkarkohet. Por, këto dy kërkesa u kundërshtuan nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit. /Gazeta10/