
Kryeministri i Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Platformës për Çështje të Komuniteteve te Qeveria e Republikës së Kosovës, platformë që është zhvilluar nga IOM-i në vitin 2024, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Zvicrës.
Në fjalën hyrëse, sipas njoftimit, Kurti tha se platforma u mundëson qytetarëve nga të gjitha komunitetet joshumicë: serb, boshnjak, turk, rom, ashkali, egjiptian, goran, por edhe malazez e kroat, ta gjejnë në një vend të vetëm informacionet që u nevojiten.
“Së pari, ofron informata për politikat e Qeverisë, si dhe për mundësitë më të fundit për grante, subvencione, punësim, trajnime dhe punë praktike dhe, e dyta, u mundëson qytetarëve ta raportojnë drejtpërdrejt diskriminimin, duke krijuar kësisoj komunikim të dyanshëm ndërmjet Qeverisë dhe komuniteteve”, tha Kurti.