Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Policia e Kosovës: Në protestën në Rudarë kanë marrë pjesë rreth 1.500 persona

Gazeta10
22 December 2022 - 14:33

Policia e Kosovës ka njoftuar lidhur me mbarëvajtjen e protestës në Rudarë sot, raporton Gazeta10.

Në njoftim bëhet e ditur se në këtë protestë kanë marrë pjesë rreth 1.500 persona.

Më tej, policia ka thënë se nuk ka bërë ndonjë pengim të autobusëve të ardhur nga Shtërpca.

Tutje, në njoftim thuhet se kjo Policia e Kosovës njeh të drejtën e protestës në mënyrë të qetë dhe se angazhohet për respektimin e të drejtave dhe lirive njerëzore pa dallim.

Më tej, thuhet se protesta ka përfunduar pa ndonjë incident.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“Protesta në Rudar të Zveqanit përfundon e qetë, Policia e Kosovës demanton spekulimet për gjoja pengimin e autobusëve në Shtërpce, që kishin për qëllim shkuarjen në protestë

Prishtinë, më 22 dhjetor 2022

Referuar deklarimeve dhe publikimeve të disa mediumeve se gjoja autobusë me protestues të cilët kishin për qëllim shkuarjen në protestën e paraparë të mbahet në Rudarë të Zveqanit, janë penguar nga Policia e Kosovës, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.

Gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të garantimit të ligjit dhe sigurisë, një autobus është ndaluar sipas procedurave të kontrollit rutinor dhe gjatë verifikimit të dokumenteve disa persona nuk kanë pranuar të legjitimohen nga autoritetet kompetente, prandaj në mënyrë vullnetare (me vetë dëshirë) nuk kanë vazhduar tutje.

Policia e Kosovës siç ka njoftuar përmes komunikatës së saj para fillimit të protestës, ka theksuar njohjen e të drejtës ligjore për të protestuar në mënyrë të qetë nga secili qytetarë si dhe angazhimet policore në respektimin e të drejtave dhe lirive njerëzore pa dallim.

Sipas vlerësimeve në terren rreth orës 13:00, protesta ka përfunduar e qetë, pa ndonjë incident të raportuar dhe në të kanë marrë pjesë rreth 1.500 pjesëmarrës”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.

Kujtojmë se në veriun e Kosovës vazhdon të ketë një numër të barrikadave të vendosura nga serbët atje përmes së cilave kanë bllokuar rrugët.

Institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare kanë kërkuar heqjen e tyre si dhe uljen e tensioneve. / Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.