
Këtë fundjavë luhet xhiro e 28-të e Premierligës, e cila na sjell para ekranit disa ndeshje interesante.
Ndeshja hapëse e kësaj xhiro luhet të premten e 17 marsit, e cila i gjen përballë skuadrën e Nottingham Forest me atë të Newcastle United.
Kjo ndeshje luhet në “City Ground”, me Nottinghamin që kërkon fitoren, të cilën nuk e gjen që 5 ndeshje, ndërsa Newcastle kërkon të vazhdojë luftën për një vend në Evropë.
Lideri i tabelës, Arsenali pret skuadrën tjetër nga Londra, Crystal Palace, me qëllimin për të mbajtur epërsinë e 5 pikëve ndaj Manchester City. Ky takim luhet të dielën në ora 15:00 dhe zhvillohet në “Emirates Stadium”.
Chelsea, klub i cili po kërkon vazhdimësi në fitore, është nikoqir i Evertonit. Kjo përballje zhvillohet në “Stamford Bridge” dhe luhet të shtunën me fillim nga ora 18:30.
Edhe klubi tjetër nga Londra veriore, Tottenham luan këtë javë, me Spurs që udhëtojnë te skuadra e fundit në tabelë, Southampton. Ky duel luhet të shtunën, me ndeshjen që fillon nga ora 16:00.
Mirëpo, kjo xhiro nuk do të jetë e kompletuar, pasi skuadrat si: Manchester City, Manchester United, Liverpool, Fulham, Brighton e West Ham luajnë në FA Cup, me ndeshjet e tyre që janë shtyer për data të pacaktuara.
Tabelës së elitës së futbollit anglez i prin Arsenali me 66 pikë, i ndjekur nga Manchester City në vendin e dytë me 61 sosh ndërsa, katërshen më të mirë në tabelë e përmbyllin klubet si: Manchester United e Tottenham.