
Me ftesë të Presidentes së shtetit, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrit Albin Kurti, sot është organizuar pritja shtetërore për nder të 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Përkundër pjesëmarrjes së disa ambasadorëve, në këtë ngjarje u vërejtë mungesa e ambasadorëve të shteteve të QUINT-it të cilët e bojkotuan, Kurtin e Osmanin.
Mirëpo nga Presidenca thonë se në këtë ngjarje nuk ka pasur kurrëfarë bojkotimi.
Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, tha për Kanal10 se ndonëse në këtë pritje nuk ishin prezentë ambasadorët, aty ka pasur përfaqësues të tjerë të shteteve të QUINT-it.
”Në këtë ceremoni nuk ka pasur bojkot të askujt. Në të kanë marrë pjesë ambasadorë të disa shteteve evropiane dhe aziatike, komandanti i KFOR-it, teksa përfaqësi të tjera diplomatike janë përfaqësuar nga zv. ambasadorë”, u shpreh Kupina për Kanal10.

”Të gjitha shtetet e QUINT-it i kanë pasur përfaqësuesit e tyre në ceremoni. Rrjedhimisht është e pavërtetë se ka pasur bojkot të ceremonisë shtetërore për 12 qershor”, ka thënë ai.
Ndërkohë, përpos mungesës së ambasadorëve, në shënimin e 24-vjetorit të çlirimit, në organizim të presidentes Osmani e kryeministrit Kurti munguan edhe krerët e opozitës.
Megjithatë, të pranishëm ishin ambasadori i Zvicrës dhe i Arabisë, gjenerali i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, politikanë, ministra, deputetë, ish-udhëheqës e përfaqësuese të shoqërisë civile.