
Në një kohë kur protestat vijojnë në vend, Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar zhvillimin e seancës plenare ditën e enjte, më 22 tetor, në orën 10:00.
Kujtojmë se seanca e së enjtes së kaluar u anulua për shkak të protestave.
Sipas urdhrit të firmosur nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në rendin e ditës janë parashikuar disa interpelanca me ministra, si dhe shqyrtimi i projektligjeve dhe projektvendimeve, raporton topchannel, transmeton Klankosova.tv.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, ndërsa deputeti Ermal Pacaj dhe deputeti Tedi Blushi kanë kërkuar interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Blushi ka kërkuar gjithashtu një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Në rendin e ditës përfshihet edhe projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, si dhe disa projektligje që lidhen me shërbimet e pagesave, parandalimin e pastrimit të parave, të drejtat e autorit dhe treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale.