
Kreu i Drejtorisë për Zgjerim në Komisionin Europian, Gert Jan Koopman, tha se “përparimi i paprecedentë” i Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian po hap mundësi të mëdha për investime në Mal të Zi.
“Është kënaqësi të shohësh bizneset e BE-së dhe Malit të Zi duke prezantuar planet e tyre të investimeve në sektorë strategjikë, përfshirë energjinë, teknologjinë digjitale, logjistikën dhe agroushqimin, në Konferencën e sotme të Investimeve BE–Mali i Zi”, ka shkruar ai në X, duke publikuar pamje nga kjo konferencë.
Mali i Zi është vendi që ka përparuar drejt BE’së më së shumti nga vendet kandidate për anëtarësim në BE.
Më 12 tetor, Bashkimi Europian mbylli përkohësisht negociatat për tre kapituj të tjerë, që lidhen me politikën ekonomike dhe monetare, statistikat, si dhe politikën sociale dhe punësimin. Me këtë zhvillim, Mali i Zi ka hapur të 33 kapitujt negociues dhe ka mbyllur përkohësisht 21 prej tyre.