Kontaktoni

info@gazeta10.com

Politiko

“Qeveri e dobët”, Mustafa në ‘Politiko’: LDK e para me Abdixhikun kryeministër

Gazeta10
30 October 2024 - 13:56

Të marten në emisionin “Politiko” me Kushtrim Sadikun është diskutuar për vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës lidhur me rritjen e pagave, teksa i ftuar ka qenë zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa përballë komentatorëve politikë Nexhmedin Saphiut, Viktor Buzhalës, Shqipe Pantinës dhe Halil Matoshit.

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka premtuar se me ardhjen në pushtet të LDK-së do të ketë rritje reale të pagave në sektorin publik.

Ndërkaq vendimin e qeverisë aktuale për rritjen e pagave, Mustafa e ka quajtur elektoral, duke theksuar se me këso vendime tentohet të kushtëzohet qytetari per ta votuar VV-në.

Për më tepër, deputeti i LDK-së ka thënë se ministri Murati ka dalë në kundërshtim me fjalët e tij, ngaqë sipas tij, dy javë më herët ai kishte deklaruar se nuk do të ketë rritje të pagave, duke thënë me ironi se “Murati u ngreh për veshi nga shefi i tij”.

“Lajmi i keq është që në këto katër vite nuk pati rritje fare të pagave në sektorin publik dhe fatkeqësisht tanimë edhe përkundër deklaratës së ministrit të Financave, Hekuran Muratit që VV nuk i rritë pagat para zgjedhjeve, dy javë më vonë u ngreh për veshi nga shefi i tij, kryeministri Kurti”, ka thënë Mustafa.

Nga ana tjetër, analisti politik Viktor Buzhala, vendimin e fundit të qeverisë e ka cilësuar si nisje reale të fushatës elektorale.

“Kjo është nisja reale e fushatës elektorale”, ka thënë Buzhala në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.

Sipas Buzhalës, ky vendim nuk i sjell përfitim maksimal elektoral Lëvizjes Vetëvendosje.

“Këta kanë vendos mos me i rrittë pagat 110 euro qysh nga janari, por kanë vendos me shty gjysmen e rritjes në korrik. Besoj është kalkulim i tyre, mirëpo nuk është gjysma e përfitimit elektoral”, ka thënë Buzhala.

Analisti Buzhala nuk ka kursyer as Lidhjen Demokratike të Kosovës. Teksa ka komentuar premtimet e Abdixhikut për rritje të pagave, Buzhala ka thënë se LDK po devijon nga kursi i vetë.

“Këtë e shfrytëzoj edhe z.Abdixhiku sot kur nuk i vendosi pagat që kanë me qenë nga korriku i vitit 2025, mirëpo i vendosi vetëm pagat e janarit… Sigurisht që këtu e shoh një devijim të LDK-së nga kursi i vetë”, ka thënë Buzhala.

E kritika për vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave patën edhe komentatorët e tjerë politikë.

“Momenti me ia nxeh xhepat e jo veç kokën qytetarëve”. Kështu është shprehur analisti dhe njëherësh gazetari, Halil Matoshi për vendimin e qeverisë për pagat.

Matoshi ka thënë se vendimi për rritjen e pagave ka të bëjë pikërisht me fushatën elektorale, meqë vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve.

“Këtu nuk e akuzoj qeverinë Kurti se e kanë ba krejt. Është momenti me i nxe me diçka njerëzit jo veç në kokë se në kokë i ka nxe me nacionalizmin e killavt tu u la në Ujman, po tash ka nevojë me jau nxe xhepin pak”, është shprehur Matoshi në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.

Për më tepër, ai ka hedhur dyshime nëse Kurti po dezinformohet nga ministrat ose bën sikur nuk di, ngaqë sipas Matoshit, këtë të martë në deklarimin e tij ka pasur huqje totale, ndërsa theksoi se ai e ka shkelur edhe Ligjin e Pagave.

E komentatorja politike, Shqipe Pantina, ka thënë se Kurti ka vepruar njësoj siç ka vepruar Thaçi.

“Është e vërtetë që nuk është as kreative tashmë domethënë është komplet kopje qysh bojke Thaçi kur ka qenë kryeministër”, ka thënë Pantina.

Sipas Pantinës, gjatë kësaj qeverisje nuk ka pasur asnjë rritje të pagave.

Ndërkaq, analisti politik, Nexhmedin Spahiu, e ka cilësuar si “shtos të lodhët” këtë vendim të qeverisë.

“Ky është shtos i lodhët edhe këta e ka shit Thaçi në vakt të vetin. Ky popull nuk i han vazhdimisht të njëjtat shtosa”, ka thënë Spahiu.

Sipas tij, askush nuk do ta orientojë votën në kuadër të kësaj rritje të pagave.

“Ti kur e din që tjetri me ta ble votën ty do të thosha është pak fyese. Thotë ai ashtu kështu e marr pagën, kështu që votën po ia qes kujt të dua”, ka thënë Spahiu teksa e ka quajtur joefektiv vendim për rritjen e pagave.

Spahiu ka ripërsëritur se ky vendim nuk është një “trik” që mund të mbledhë vota, përkundrazi sipas tij, Kurti ka humbur shumë, ngaqë siç tha ai, ua ka prekur dinjitetin njerëzve.

 

Megjithatë, në studion e “Politikos” nuk munguan as debatet lidhur me këtë çështje.

Derisa deputeti Mustafa ka vazhduar kritikat ndaj qeverisë dhe ka lavdëruar premtimet e LDK-së, ka qenë analisti Buzhala, i cili e ka pyetur për strategjinë e kësaj partie, teksa nuk kanë munguar përgjigjet dhe kundërpërgjigjet.

“Nuk ka përparim në asnjë sferë përveç tri metra urë në Istog”, ka thënë me ironi Mustafa.

“Ku do t’i marrin paratë që po i premton kandidati për kryeministër i LDK-së për rritjen e pagave?”, ka pyetur Buzhala.

Mustafa ka thënë se buxheti do të vijë nga rritja reale që do të ketë Kosova pas ardhjes në pushtet të LDK-së.

“Kjo qeveri z.Buzhala është qeveria më e dobët me investime kapitale. Kjo qeveri në shumicën e këtyre katër viteve nuk ka mundur të zbatojë as gjysmën e buxhetit”, ka thënë Mustafa i cili ka vazhduar kritikat për qeverinë.

Por ishte Buzhala ai i cili këmbëguli me pyetje ndaj Mustafës “Nuk ma dhatë përgjigjen se ku keni me i marrë qato të holla që keni me i rrittë pagat prej ditës së parë?”

“Prej ditës së parë nga buxheti ekzistues i Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Mustafa.

“Dikujt keni me i hy në hak. Jo keni me i hy në hak subvencioneve dhe transfereve në bujqësi, ja keni me i hy në hak investimeve kapitale se s’keni ka i merrni tjeterkun ato pare”, ka thënë Buzhala.

Përplasjet e debatet nuk kanë munguar as në mes të panelistëve të tjerë.

Teksa është komentuar deklarimi i kryeministri të Kosovës, Albin Kurti për Asociacionin, i cili ka thënë se nuk mund ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili është ndër kërkesat kryesore ndaj Kosovës sipas një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes saj dhe Serbisë, përplasjet nuk munguan mes Matoshit dhe Spahiut.

“Është lojë fjalësh e Kurtit sepse asociacioni nëse ish kanë si çdo asociacion s’do të kishte nevojë të negociohej fare”, ka thënë Spahiu.

“Mirëpo është këmbim i shtetit për shkak se e ke këmbyer me barazi kombëtare”, i është kundërpërgjigjur Matoshi.

“Nal bre Halil se s’te ndërpreva”, ka thënë Spahiu.

“Problemi te ti o qe s’po dëgjon e po flet kot”, i është kthyer Matoshi.

“Po s’po kam nevojë me të ndëgju se po flet palidhje”, i është kundërpërgjigjur Spahiu, teksa debati mes tyre ka vazhduar.

Ndërkaq, deklarimet e Kurtit për Asociacionin nuk u lanë pa u komentuar edhe nga deputeti Mustafa.

Ai ka thënë se Kurti ka dalë në kundërshtim me vetveten, teksa me ironi tha se “ai po jeton në një univers paralel”.

“Një here tha kam ofruar draft pastaj nuk themeloj asociacione”, ka thënë Mustafa.

Përveç kritikave për qeverinë, analisti politik, Nexhmedin Spahiu nuk ka kursyer as votuesit e tij.

“Profili i Vetëvendosjes janë zibidia, janë fukareja, janë diaspora”, ka thënë Spahiu.

Megjithatë, ai është kundërshtuar nga zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, i cili i ka thënë se “qytetarët e Kosovës nuk mund të quhen zibidi”.

“Pavarësisht që do të doja që ata 51% ta kishin votuar partinë time LDK-në nuk do t’i quaja zibidi qytetarët e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Krejt në fund, Mustafa u pyet edhe për koalicionet e mundshme që mund të bëjë kjo parti, meqë Kosova ndodhet në prag të zgjedhjeve.

Mustafa ka thënë se LDK ka qenë e qartë në deklaratat e tyre publike, ndërsa ka theksuar se beson se do të dalin të parët.

“Programi ynë është më i miri për katër vitet e ardhshme. Besojmë që do të dalim të parët”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka theksuar se LDK e ka një kandidat për kryeministër dhe një program qeverisës, duke thënë se zgjedhja e Abdixhikut si kryeministër është e vetmja “vijë e kuqe” për cilëndo parti politike në Kosovë.

“E vetmja situatë kur LDK do të jetë në qeverisjen e ardhshme do të jetë nëse do të kemi mundësi  që z.Abdixhiku të jetë kryeministër. Kjo është e vetmja vijë e kuqe”, ka thënë Mustafa.

I pyetur nga Sadiku nëse do të bënin koalicion edhe me VV-në, Mustafa ka thënë se me Vetëvendosjen kanë hendek të gjer për shkak të historisë dhe dallimeve, porse ka ripërsëritur se vija e kuqe e tyre është që Abdixhiku të jetë kryeministër. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.